2007-10-09 17:16:20

Nobelistja e opozitës birmane refuzon dialogun me kushte të juntës ushtarake


(09.10.07 RV)Nobelistja birmane Aung San Su Kji refuzoi sot ofertën për dialog të juntës ushtarake të Mianmarit. Në një deklaratë të partisë së saj vihet në dukje se dialogu duhet të jetë i bazuar në sinqeritet e në vullnetin e mirë e për këtë nuk duhet vënë asnjë kusht paraprak. Dje, junta emëroi një negociator për marrëdhëniet me San Su Kjinë dhe deklaroi se u ka dhuruar para e ushqime murgjërve budistë. Por gjenerali Tan Shve, pavarësisht se është treguar i gatshëm për të takuar 62-vjeçaren, Çmim Nobel për paqen, ka kërkuar që ajo të heqë dorë nga qëndrimi disfatist dhe të mos kërkojë sanksione kundër regjimit. Këto deklarata e përpjekja e juntës për t’u treguar më demokratike me opozitën e me murgjërit nuk e ka ndalur ingranazhin e OKB-së, e cila ka mundësi që të dalë së shpejti me një deklaratë për ish-Birmaninë. E Bashkimi Evropian mund të vendosë për sanksione duke filluar nga e hëna e ardhshme.







All the contents on this site are copyrighted ©.