2007-10-09 17:18:21

200 viktima në Pakistan e lajme të tjera


(09.10.07 RV)Vazhdon të rëndohet në Pakistan, bilanci i ndeshjeve të ashpra ndërmjet ushtarëve dhe milicëve, luftime që vazhdojnë akoma. Sipas burimeve lokale, viktimat janë rreth 200 vetë, ndër të cilët edhe disa civilë. Ndeshjet filluan të dielën, kur rebelët sulmuan një karvan të qeverisë. Teatër luftimesh është Vaziristani i Veriut, zonë fisesh në kufi me Afganistanin, kështjellë e talebanëve dhe e militantëve të Al Kaidës.


Brenda pranverës së ardhshme, në jug të Irakut do të mbeten 2500 ushtarë britanikë. Vetë kryeministri Gordon Braun sqaroi në parlament se kontingjenti britanik do të përgjysmohet. Vetëm para një jave, gjatë një vizite të paparalajmëruar në Bagdad, Braun pati deklaruar se deri për Krishtlindje kontingjenti britanik do të reduktohet nga 5.500 në 4.500 ushtarë.
Në terren, së paku 40 vetë janë vrarë e 60 të tjerë janë plagosur gjatë shpërthimit të një minibusi të mbushur me eksploziv në qendër të Bagdadit. E në veri, në qytetin Baxhi, dy autobomba kanë shkaktuar 22 viktima. I vetmi lajm i mirë duket se është garantimi i shkollës për mbi 6 milion fëmijë, të cilët nuk frekuentonin leksionet që prej një viti, për arësye sigurie.


Këshilli i Evropës shpalli sot formalisht 10 tetorin si “Ditën evropiane kundër dënimit me vdekje”. Gjithsesi, vendimi është marrë që muajin e kaluar nga komiteti i ministrave të 46 vendeve anëtare.







All the contents on this site are copyrighted ©.