2007-10-08 16:25:28

Takimi i Komisionit të përbashkët katoliko-ortodoks në Ravenë. Intervistë e Monsinjor Fortinos.


(08.10.2007 RV)RealAudioMP3 Duke filluar që sot e deri të hënën e ardhshme, më 15 tetor, në Ravenë (Itali) mbahet Asambleja e 10-të Plenare e Komisionit Ndërkombëtar për dialogun teologjik ndërmjet përfaqësuesve të emëruar zyrtarisht nga Kisha katolike nga njëra anë e nga të gjitha Kishat ortodokse, nga ana tjetër. Për këtë takim kaq të rëndësishëm kishtar na flet monsinjor Eleuterio Fortino, zevendës-sekretar i Këshillit Papnor për nxitjen e bashkimit të të krishterëve:
Pyetje: - Monsinjor Fortino, cili është argumenti kryesor i këtij takimi?
Përgjigje: - Vijojnë bisedimet e nisura dy vjet më parë në Beograd rreth temës së formuluar kështu: “Pasojat ekleziologjike e kanonike të natyrës sakramentore të Kishës”. Ndërsa tema e saktë është “Bashkimi kishtar, pajtimi e autoriteti”. Një pjesë e mirë e dokumentit u diskutua në Beograd, ku u shqyrtua tema e autoritetit, e pajtimit dhe e sinodalitetit të Kishës në nivel lokal e në nivel zonal. Tani ka filluar të studiohet pajtimi dhe autoriteti i Kishës në nivel universal. Kjo kërkon studimin e e Koncileve ekumenike lidhur me parinë në Kishën universale dhe me rolin e ipeshkvit të Romës në bashkimin e Kishave.
Pyetje: - Monsinjor Fortino, ç’të reja ka në dialogun teologjik katoliko-ortodoks? A ka pika të veçanta, që flasin për progres?
Përgjigje: - Ne shpresojmë që në sesionin tjetër, me karakter të përgjithshëm, të diskutojmë pikërisht për parinë në Kishë, në nivelin universal të Kishës, sepse duhet, është e nevojshme të ecet përpara. Ka shumë mundësi që tema për rolin e Papës në Kishë të mos diskutohet deri në fund në këtë sesion, por është e domosdoshme të merremi vesh për kushtet paraprake, të përbashkëta, mbi bazën e të cilave, pastaj, do të diskutohet rreth problemit. Që në Valamos, më 1988, u tha se për temën e parisë në tërësinë e Kishës e posaçërisht, atë të parisë së Papës së Romës, do të flitej në vijim të përpjekjeve për bashkimin ndërmjet kishave lokale. E pikërisht në këtë vijë e në këtë perspektivë shpresohet të ecet përpara, me shpresën e thellimit të mirëkuptimit e të arritjes së marrëveshjeve.
Pyetje: - Ç’mund të bëhet për arritjen e mirëkuptimit reciprok ndërmjet katolikëve e ortodoksëve?
Përgjigje: - Ky dialog nënvizoi dy aspekte: përmasën e dialogut në frymën e dashurisë së krishterëë e atë teologjike, që i përket pikërisht komisionit të përbashkët. Dialogu në frymën e dashurisë së krishterë është zhvilluar me përfitim të madh dhe ka krijuar kushtet për të ecur përpara edhe në dialogun e së vërtetës, në dialogun teologjik. Sot në dialogun e dashurisë së krishterë marrin pjesë shumë kisha lokale. Ne lexojmë në shtyp lajme për nismat që janë marrë, për lidhjet ndërmjet dioqezave katolike e atyre ortodokse, ndërmjet fakulteteve katolike e ortodokse. Kohët e fundit, në muajin shtator, në Tinos, u mbajt një takim i organizuar nga Instituti i përshpirtërisë françeskane të Universitetit Antonianum dhe nga Fakulteti teologjik i Universitetit Aristotele të Selanikut. Edhe kërkimet shkencore që bëhen në institutet teologjike të veçanta si dhe mësimdhënia në fakultetet teologjike katolike e ortodokse, mund të japin një kontribut të madh për thellimin e marrëdhënieve. Prandaj mund të themi se marrëdhëniet vëllazërore ndërmjet kishave ekzistojnë, siç u theksua në mënyrë të përgjithshme, duke përfshirë edhe protestantët, në Sibiu, në Asamblenë e tretë ekumenike evropiane si dhe në nisma të tjera të kësaj natyre, që kanë të bëjnë me marrëdhëniet e vëllazërisë e të ndihmës. Edhe ne, në Këshillin Papnor për nxitjen e bashkimit të të krishterëve kemi një Komitet katolik për bashkëpunimin kulturor me Kishat ortodokse, që u siguron ortodoksëve bursa studimi për specializim në fakultete teologjike katolike. Edhe ky është një aspekt, një mjet për mirëkuptimin më të plotë.
Pyetje: - Monsinjor Fortino, a mendoni se harmonia ndërmjet katolikëve e ortodoksëve mund të favorizojë edhe dialogun me Kishat protestante?
Përgjigje: - Më 1979, kur u deklarua i hapur dialogu teologjik katoliko-ortodoks, me vizitën e Papës Gjon Pali II në Patriarkanën ekumenike dhe u publikuan emrat e anëtarëve të Komisionit të përbashkët katoliko-ortodoks, u tha se shpresohej që ky dialog do të jepte ndihmesën e vet edhe për thellimin e dialogeve të hapura në botë ndërmjet Kishës katolike dhe kishave e bashkësive të tjera kishtare, si dhe për dialogun ndërmjet vetë Kishave, në të cilin është impenjuar Kisha katolike. Besoj se është e arsyeshme të krijohet vizioni i një bashkimi model ndërmjet katolikëve e ortodoksëve, që respekton unitetin në fe, në sakramente e në organizimin e hjerarkisë. Kjo do të kontribuojë e do të ndikojë së paku për plotësimin e kërkesave të së sotmes në të gjitha dialoget e tjera.








All the contents on this site are copyrighted ©.