2007-10-08 16:25:13

Në Engjëllin e Tënzot të festës së Zojës Rruzare, Papa fton për lutje dhe reflekton për impenjimin misionar.


(08.10.2007 RV)RealAudioMP3 Dje, lutja e parë e Engjëllit të Tënzot e Benediktit XVI në Sheshin e Shën Pjetrit, pas tre muajsh të kaluar në Kastel Gandolfo. Për ta ndjekur lutjen e Papës, që u kthye të mërkurën e kaluar në Vatikan, ishin mbledhur më se 50 mijë besimtarë.
Ati i Shenjtë i ftoi të reflektojnë për festën e djeshme të Zojës Rruzare si dhe për impenjimin misionar, të cilit i kushtohet posaçërisht muaji tetor.
Duke kujtuar figurën tradicionale të Zojës Rruzare, që e paraqet Marinë në sa me njërin krah mban foshnjën e me tjetrin i jep Shën Dedës rruzaren, Benedikti XVI kujtoi festën e djeshme të Zojës Rruzare:
”Kjo ikonografi kuptimplote tregon se Rruzarja është mjet që Zoja e Bekuar na e dhuron për të kundruar Jezusin e, duke medituar për jetën e Tij, për ta dashur e për ta ndjekur pas gjithnjë e më besnikërisht. E Zoja na ka porositur ta themi Rruzaren edhe në disa nga dukjet e saj”.
Mendoj posaçërisht – shtoi Benedikti XVI – për dukjen e Zojës në Fatima, 90 vjet më parë. Duke iu paraqitur si ‘Zoja e Rruzares” tre barinjve të vegjël, Luçisë, Gjaçintës e Françeskut, Nëna e Krishtit i porositi me këmbëngulje ta thoshin për ditë rruzaren, për të nxjerrë kështu hirin e përfundimit të luftës. E kjo porosi ka vlerë edhe për sot – vijoi Ati i Shenjtë. Edhe ne duam ta pranojmë porosinë e Zojës, duke u zotuar ta themi me fe Rruzaren për paqe në familje, ndër kombe e në mbarë botën. Megjithatë, e dimë se paqja e vërtetë mbretëron atje ku njerëzit dhe institucionet ia hapin zemrën Ungjillit.
Më pas Papa foli për impenjimin misionar, të cilit i kushtohet në mënyrë të veçantë muaji në vijim si dhe për Ditën Misionare Botërore, që do të kremtohet më 21 tetorin e ardhshëm. Muaji tetor – tha Ati i Shenjtë – na ndihmon ta kujtojmë këtë të vërtetë themelore, ta mbajmë gjallë në çdo bashkësi frymën misionare dhe të mbështesim punën e priftërinjve, të rregulltarëve, rregulltareve e laikëve si dhe të gjithë atyre që ndodhen në radhët e para të frontit të misionit të Kishës.
“Kumtimi i Ungjillit mbetet shërbimi i parë që Kisha duhet t’i bëjë njerëzimit, për t’i propozuar shëlbimin e Krishtit njeriut të kohës sonë, të poshtëruar e të shtypur në shumë forma e për t’i orientuar në drejtimin e krishterë shndërrimet kulturore, shoqërore dhe etike, që vijojnë në botë”.
Impenjimi misionar – vijoi të pohonte Benedikti XVI – do të ketë një shtytje të re këtë vit, kur përkujtohet 50-vjetori i enciklikës së papës Piu XII ‘Fidei Donum’. Është enciklika që nxiti dhe inkurajoi bashkëpunimin ndërmjet Kishave për misionin në gjirin e të gjithë popujve. Më pas Ati i Shenjtë kujtoi sesi 150-vjet më parë, pesë meshtarë, ndërmjet të cilëve Daniel Komboni, u nisën për Afrikë. Në përfundim të Engjëllit të Tënzot, Papa përshëndeti të rinjtë që pak ditë më parë morën pjesë për herë të katërt në Misionin e Romës, të cilin e quajtën ‘Jezusi në qendër’. Benedikti XVI përshëndeti edhe mijëra të rinjtë e mbledhur në bazilikën e Shën Palit jashtë mureve të Romës, për të marrë pjesë në Meshën e kremtuar nga kardinali Fiorenco Angjelini me rastin e ‘Festës së tretë sportive’.







All the contents on this site are copyrighted ©.