2007-10-08 16:26:38

Duke shfletuar kalendarin: mozaik ngjarjesh kishtare, kulturore e historike.


(08.10.2007 RV)Më 8 tetor 1860 lindi Mikel Markianoi (Michele Marchianò, 1860-1921), historian i letërsisë, folklorist dhe përkthyes i njohur arbëresh. Markianoi, si Jeronim De Rada e Domenik Anton Markezi, lindi në Maq (ital. Macchia Albanese) në një familje mësuesish. Duke vijuar traditën, punoi së pari si mësues në Foxha e më pas, si zëvendës-drejtor në një shkollë të mesme në Paola, në bregdetin kalabrez. Markiano është autori i të parit studim për De Radën dhe veprën e tij, titulluar L'Albania e l'opera di Girolamo De Rada (Shqipëria dhe vepra e Jeronim De Radës, Trani 1902), monografi që e ruan vlerën edhe sot e kësaj dite. Ka botuar edhe një përmbledhje italisht me poezi të De Radës me titull “Poemi albanesi di Girolamo De Rada” (Poezi shqiptare të Jeronim De Radës, Trani 1903). Qe mjaft aktiv në fushën e folklorit. Libri i tij “Canti popolari albanesi delle colonie d'Italia”(Këngë popullore shqiptare nga ngulimet në Itali, Foxha 1908), është një përmbledhje me vlerë e folklorit dhe e poezisë arbëreshe të fillimit të shekullit të tetëmbëdhjetë.
Ndër veprat e tjera kujtojmë “Poesie sacre albanesi” (Poezi fetare shqiptare, Napoli 1908), me vargje fetare të fillimit të shekullit të tetëmbëdhjetë; “Canti popolari albanesi della Capitanata e del Molise”(Këngët popullore shqiptare të Kapitanatës e të Molises; Martina Franca 1912); dhe një studim për përralla popullore greke.

Më 8 tetor 1895 lindi në Burgajet të Matit Ahmet Zogu: u aktivizua në jetën politike që më 1912, kur mori pjesë në kuvendin e Vlorës; organizoi Kongresin e Lushnjës; në shtator 1928 u shpall mbret i Shqipërisë me emër Zogu I. Më 1939 u largua nga Shqipëria, në sa kjo pushtohej prej fashistëve italianë. Vdiq në Francë më 1961.
Në 112 vjetorin e lindjes kujtojmë se, në sa familja e tij është kthyer në atdhe, ku tashmë prehen eshtrat e Mbretëreshës së Shqiptarëve, Geraldinës Apony, Mbreti pret ende kthimin për të pushuar pranë së shoqes, duke ringjallur rishtas një polemikë të fortë ndërmjet legalistëve dhe kundështarëve të tij.

Më 8 tetor 1912 filloi Lufta I Ballkanike. Palët ndërluftuese ishin: Lidhja Ballkanike (Bullgaria, Greqia, Mali i Zi e Serbia) dhe Perandoria Osmane. Lufta pati pasoja të hidhura për Shqipërinë, sepse me nënshkrimin e Traktatit të Londrës nga trungu i saj u shkëputën Kosova, mjaft toka shqiptare në Maqedoni dhe krahina e Çamërisë.
Sesa e rëndë qe kjo shkëputje, e tregon vijimi i ngjarjeve deri në ditët tona, ndërsa është folur e flitet aq shumë për shqiptarët që nuk kanë gjetur e as nuk gjejnë paqe jashtë trojeve të Shqipërisë zyrtare.
 Ndërmjet 8 e 9 tetorit 2001 u ther mizorisht në Durrës misionari rregulltar gjyzepin, Atë Ettore Cunial nga Trevizo. U salikua në Tiranë e në Romë, ku edhe u varros.







All the contents on this site are copyrighted ©.