2007-10-06 16:19:45

Imzot Mambertì në OKB: nuk mund të ketë paqe pa liri fetare.


(06.10.2007 RV)“Një dialog i nivelit të lartë ndërfetar dhe ndërkulturor për mirëkuptimin dhe bashëpunimin në favor të paqes”: kjo ishte tema e fjalimit që mbajti dje në Nju Jork kryeipeshkvi Dominik Mambertì, sekretar i Selisë së Shenjtë për marrëdhëniet me shtetet, me rastin e Sesionit të 62-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.“Nuk mund të ketë paqe, pa mirëkuptim dhe bashkëpunim ndërmjet feve. Nuk mund të ketë mirëkuptim e bashkëpunim ndërmjet feve, pa liri fetare”. Imzot Mambertì nënvizoi se feja është themelore për çështjen e paqes dhe ripohoi se nuk mund të përkojë, në asnjë rast, me dhunën e terrorizmin. Pikërisht respekti për lirinë fetare, sipas sekretarit të Vatikanit për marrëdhëniet me shtetet - do t’i demaskonte terroristët, që përpiqen t’i përligjin veprimet e tyre të papërligjshme, duke i kërkuar pretekstet pikërisht tek feja. Për ta mbrojtur e për ta promovuar lirinë fetare, duhet të ndërhyjnë shtetet – pohoi me forcë prelati - por pa harruar edhe përgjegjësinë që kanë vetë fetë të cilat, duke ndjekur shembullin e takimeve të Asizit, duhet të organizojnë takime ndërfetare të mirëpërgatitura edhe në nivel kombëtar e lokal.







All the contents on this site are copyrighted ©.