2007-10-06 16:19:35

Benedikti XVI : “Uroj që sporti të jetë gjithnjë në shërbim të dinjitetit të njeriut”.


(06.10.2007 RV)“Kur jetohet si duhet, sporti ndihmon fuqimisht për zhvillimin e njeriut”. Këtë nënvizoi sot Benedikti XVI gjatë audiencës me skuadrën austriake të skive malore. Si kujtoi me gëzim shtegtimin e tij apostolik në Austri, Papa theksoi vlerat e vërteta të sportit: “Sporti ndihmon për t’i njohur aftësitë vetjake si talent, e jetën, si dhuratë të Zotit. Veprimtaria sportive ka rëndësi të dorës së parë për zhvillimin e gjithanshëm të njeriut, të cilit duhet t’ia respektojë gjithnjë dinjitetin. Edhe kur bëhet fjalë për sport të niveleve të larta, duhet ruajtur gjithnjë harmonia ndërmjet trupit e shpirtit, duke pasur shumë kujdes që sporti të mos matet vetëm me rezultatet”. Më pas Ati i Shenjtë numroi një sërë virtytetsh, që duhet ta karakterizojnë gjithnjë sportin: guximi, shpirti i flijimit, disiplina shpirtërore e fizike e akoma, ndjenja e drejtësisë, vetëdija për kufizimet vetjake, respekti i thellë për tjetrin. E edhe për t’i fituar këto vityrte, duhet stërvitje serioze – tha Papa, e në vijim vuri theksin mbi kontributin që mund të japin sportistët, posaçërisht si modele për t’u imituar nga më të rinjtë.








All the contents on this site are copyrighted ©.