Në Fatima të Portugalisë vijon mbledhja plenare e Këshillit të Konferencave Ipeshkvnore
Evropiane (KKIE).
(05.10.2007 RV)“Pa të krishterët e Kishën, Evropa nuk do të kishte zemër”.
Është i qartë dhe i fuqishëm mesazhi që kardinali Peter Erdë, kryeipeshkëv i Budapestit
dhe kryetar i Këshillit të Konferencave Ipeshkvnore të Evropës, përcolli dje në fjalimin
e hapjes së Asamblesë plenare të organizmit kontinental. Asambleja mbahet në Fatima,
një nga vendet simbolike për rrënjët e krishtera të Evropës, me rastin e kremtimit
të 90-vjetorit të dukjeve të Zojës së Bekuar. Natyrisht edhe anëtarët e tjerë të plenares
bashkuan zërat me zërin e kardinalit hungarez, ndërsa kardinali Gjovani Batista Re,
prefekt i Kongregatës për Ipeshkvijtë, duke i përcjellë mbledhjes së madhe përshëndetjen
e Papës, kujtoi se në Evropën e sotme veprojnë forca që kanë prirjen për t’i mënjanuar
të krishterët dhe vlerat e tyre. Por kjo – u theksua në mbledhjen plenare - nuk duhet
t’i çkurajojë, madje duhet t’u kujtojë se është pikërisht koha për një impenjim të
fuqishëm, duke qenë më të bashkuar se kurrë, me besimin se feja e krishterë përbën
një pasuri tepër të rëndësishme për të sotmen e për të ardhmen e Evropës. Ta harrosh
këtë, do të thotë të vesh në rrezik ardhmërinë e të gjithë shtetasve të Kontinentit
të Vjetër.