2007-10-05 17:48:39

Libani para zgjedhjeve presidenciale e lajme të tjera


(05.10.07 RV)Sekretarja amerikane e shtetit, Kondolica Rajs dhe sekretari i mbrojtjes, Robert Geits, do të vizitojnë Rusinë më 12 dhe 13 tetor, për të diskutuar mbi planet e ndërtimit të sistemit të mbrojtjes me raketa në Evropë. Moska kundërshton planet e Shteteve të Bashkuara për ndërtimin e sistemit në Poloni dhe në Çeki.


Ndërsa Libani përgatitet për zgjedhjet presidenciale, të cilat do të zhvillohen më 23 tetor, Hezbollahët libanezë, me anë të numrit dy të tyre, Sheik Naim Kasem, kanë deklaruar se ata do të miratojnë çdo kandidatë që do të fitojë dy të tretat e votave. Më 25 shtator, në votimine e parë, hezbollahët dhe partitë e tjera filosiriane në opozitë patën bojkotuar seancën.
Ndërkaq, presidenti amerikan Xhorxh Bush, i ka tërhequr vërejtjen Sirisë që të mos ndërhyjë në zgjedhje. Mbrëmë, Bush u takua në Uashington me Sad al-Haririn, djalin e ish-kryeministrit të vrarë libanez, Rafik al-Hariri.


E veja dhe pesë fëmijët e ish-diktatorit Augusto Pinoçet janë arrestuar në Kili për korrupsion. Janë lëshuar urdhërarreste edhe për 17 pjesëtarë të tjerë të familjes dhe bashkëpunëtorë të Pinoçetit, i cili vdiq në dhjetor të 2006-ës, në moshën 91-vjeçare. Të gjithë akuzohen për shpërdorimin e parave të shtetit e përvetësimin e një shume prej 27 milionë dollarësh, të cilat janë depozituar në llogari bankare sekrete në SHBA.

Në ditën e sotme Botërore kushtuar mësuesve, OKB-ja i bën thirrje bashkësisë ndërkombëtare të investojë më shumë në luftën kundër analfabetizmit. Në mesazhin e tij, drejtori i përgjithshëm i UNESCO-s. Koishiro Matsuura vë në dukje se problemi kryesor në vendet në zhvillim është mungesa e mësuesve të kualifikuar. Janë mangut së paku 18 milion mësues, 4 milion prej të cilëve nevojiten në kontinentin afrikan.







All the contents on this site are copyrighted ©.