Sot Kisha katolike kremtoi Shën Françeskun, Pajtor i Italisë.
(04.10.2007 RV)Nga një rini e çkujdesur
e plot dëfrime, si pati ndjerë mëshirë për të gërbulurit, u kthye në rrugën e Ungjillit
dhe e jetoi pa asnjë lëkundje, në varfëri e në gëzim, duke e ndjekur Krishtin e përvuajtur,
të varfër e të pastërt, sipas shpirtit të lumnive. Prandaj Benedikti XVI, duke folur
dje në audiencën e përgjithshme për Varfanjakun e Asizit, kujtoi: "Nesër
në liturgji festohet Shën Françesku i Asizit i cili, duke i përngjarë Krishtit, hoqi
dorë nga pasuritë tokësore. Na mësoi, kështu, se duhet të jemi të thjeshtë, të përvujtë
e të pastër, që kur ta lemë këtë botë, ta marrim shpërblimin për dashuri. Të mësojmë
nga Shën Françesku për ta jetuar fjalë për fjalë Ungjillin”. Së bashku me vëllezërit
e parë që e ndiqnin, të tërhequr nga forca e shembullit të tij, predikoi kudo dashurinë
e Zotit, duke dhënë, një ndihmesë të jashtzakonshme në përtëritjen e Kishës me veprimtarinë
e tij misionare. E misioni – kujtoi Benedikti XVI në Engjëllin e Tënzot për
Ditën e 80-të misionare botërore, më 23 tetor të vitit të kaluar, – ‘niset nga
zemra’. Pikërisht 800 vjet më parë, pranimi i këtij misioni u bë shembull i paharrueshëm
në figurën djaloshare të Françeskut të Asizit. Në kishëzën gjysëm të shembur të Shën
Damianit – kujtoi Papa – shenjti i ardhshëm dëgjoi zërin e të Kryqëzuarit, që e nxiste
t’ia rindërtonte shtëpinë e rrënuar. Shtëpia që duhej rindërtuar – shpjegoi Ati i
Shenjtë – ishte, para së gjithash, vetë jeta e Shën Françeskut e pastaj edhe jeta
e Kishës. E kjo sepse – shtoi Benedikti XVI - misioni ‘nis pëherë prej një zemre të
shndërruar nga dashuria e Zotit’ dhe është i realizueshëm në çdo vend e në çdo kohë.
Misioni, pra, është një kantier, në të cilin ka vend për të gjithë: për atë që impenjohet
ta realizojë në familjen e vet Mbretërinë e Zotit; për atë që e jeton me shpirt të
krishterë veprimtarinë profesionale; për atë që i kushtohet plotësisht Zotit; për
atë që ndjek Bariun e Mirë, Jezusin, i cili i prin popullit të Hyjit; e posaçërisht
për atë, që niset për t’ua kumtuar Krishtin njerëzve që nuk e njohin ende”. I dashuruar
me Krishtin, Shën Françesku e përqëndroi përvojën e tij shpirtërore në kundrimin e
Shpellës së Betlehemit e të Kalvarit. Mbarti në korpin e vet shenjat e Mundimeve të
Krishtit: pesë plagët. Në të, ashtu si në mistikët më të mëdhenj, u shkrinë harmonia
me gjithësinë, të cilës i këndoi mrekullisht në Këngën e Krijesave. Qe frymëzues
e Atë i familjeve rregulltare mashkullore e femërore që morën prej tij emrin “françeskane”.
Piu XII e shpalli Pajtor të Italisë më 18 qershor 1939. Urdhëri françeskan nisi së
pari në Asizi të Italisë, por shumë shpejt u përhap në vise të tjera të botës, e
edhe në Shqipëri.