2007-10-04 18:24:36

Libri i Benediktit XVI “Jezusi i Nazaretit” arrin në dy milion kopje.


(04.10.2007 RV)Libri i Benediktit XVI “Jezusi i Nazaretit”, me 15 botimet në gjuhë të ndryshme të botës, ka arritur në dy milion kopje. Me këtë sukses të jashtzakonshëm editorial, Shtëpia Botuese e Vatikanit përgatitet të marrë pjesë, nga data 10 deri më 14 tetor, në Panairin e Frankfurtit në Gjermani. Pjesëmarrja e sivjetme bie posaçërisht në sy, si për faktin se në të njëjtin pavion (Halle 5.1 B 941) të quajtur Vatikan City State, do të mund të soditen e të njihen pasuritë e Muzeve të Vatikanit, të Bibliotekës Apostolike të Vatikanit, të Unitelmit apo Sistemit informativ të famullive për internetin si dhe librat e shtypur nga Universiteti Urbanian, ashtu edhe për cilësinë e ofertës.
Në qëndër të vëmendjes do të jenë botimet e fundit të Shtëpisë Botuese të Vatikanit, kushtuar posaçërisht magjisterit të Benediktit XVI: ndërmjet tyre, nuk mund të mungojë libri i Papës “Jezusi i Nazaretit”.
Gjatë më se pesëdhjetë takimeve me botuesit e ndryshëm, do të paraqiten edhe disa vëllime të reja me interes të posaçëm, si “Enciclopedia e lutjes”; “Sikstina pa vela”, “Falja”, “Agostino Gemelli” etj. Në dispozicion të vizituesve do të jenë drejtori i Shtypshkronjës së Vatikanit, don Gjuzepe Kosta, salezian dhe anëtarët e disa prej sektorëve më të rëndësishëm të saj.
Ndërkaq në Panairin e librit në Frankfurt Shqipërinë do ta përfaqësojnë tri poete: poetja Luljeta Lleshanaku; poetja dhe koleksionistja e prodhimeve artizanale, Luljeta Dano si dhe poetja Ledia Dushi, të cilat të dielën, më 14 tetor, do të organizojnë në sallën 6.1 E905 të Panairit, një takim letrar kushtuar poezisë shqipe në përgjithësi dhe vargjeve të tyre në veçanti, me synimin për ta njohur publikun e larmë të Panairit, me natyrën dhe botkuptimin e shqiptarëve, përmes vargjeve që kanë krijuar.Veprimtaria do të zhvillohet në dy gjuhë: shqip dhe gjermanisht dhe do të moderohet nga Dr.Pandeli Pani (Deutsche Welle), ndërsa në gjermanisht do të përkthehet nga Dr. Suzana Finger.







All the contents on this site are copyrighted ©.