2007-10-04 18:47:29

Kosovë: Rehn, BE-ja përgjegjëse të kapërcejë egoizmin e Moskës


(04.10.07 RV)Komisari evropian për zgjerimin, Olli Rehn denoncoi sot “unilateralizmin egoist” të Moskës, e cila kërcënon se do të vendosë veton në Këshillin e Sigurimit të OKB-së kundër çdo rezolute që përcakton si status të Kosovës “Pavarësinë e kontrolluar”. Gjatë një diskutimi në Universitetin e Parisit, me një notë ironie, Rehn theksoi se Kosova “nuk do të jetë shteti i 51-të i SHBA-ve dhe Serbia nuk e ka vokacionin për t’iu shtuar Federatës Ruse! Ky është një motiv i mjaftueshëm për t’i inkurajuar të dyja palët të punojnë për një zgjidhje të negociuar dhe evropiane”. Bashkimi Evropian, sipas komisarit për zgjerimin, është gati të marrë në dorë misionin paqeruajtës në Kosovë, por për këtë Brukseli ka nevojë për një kuadër të qartë ndërkombëtar.
Të njëjtin qëndrim mbajti dje në Komisionin e jashtëm të Parlamentit Evropian edhe Përfaqësuesi për Politikën e jashtme evropiane, Havier Solana. E sot, korit të ndërkombëtarëve i shtohet edhe zëri i ministrit të jashtëm të Shqipërisë, Lulzim Basha. Ai i fton serbët të bashkëpunojnë me institucionet ndërkombëtare dhe me ato kosovare. “Plani i Ahtisarit – nënvizon Basha në një deklaratë – ofron për bashkësinë serbe garanci më të mëdha se sa shumë realitete të tjera evropiane”.

Ka shkaktuar reagime në Kosovë shfaqja ne televizion e një reportazhi televiziv për një grup të armatosur, të vetëquajtur Armata Kombëtare Shqiptare (AKSH), që shprehet i gatshëm të luftojë për pavarësi.
Krerët kosovarë të shtetit dhe të qeverisë u kanë bërë thirrje qytetarëve të Kosovës që të mbështesin organet e sigurisë në vend, duke premtuar që vendi do të pajiset shpejt me forcën e vet të sigurisë e prandaj, nuk do të ketë nevojë për armata njerëzish me maskë të këtij lloji, por do të mbrohet në mënyrë institucionale.
Videoja ka ngjallur edhe reagimin e përfaqësuesve të NATO-s në Kosovë. Zëdhënësi i KFOR-it, Bertran Bono ka deklaruar se nëse grupe të tilla ekzistojnë me të vërtetë, do të trajtohen si të paligjshme.







All the contents on this site are copyrighted ©.