Koreja e Veriut dhe e Jugut do të krijojnë një zonë paqeje dhe bashkëpunimi ekonomik
(04.10.07 RV)Takimi ndërmjet
dy Koreve përfundoi me një rezultat shumë më të mirë nga sa pritej. Të dy krerët e
shteteve nënshkruan në Piong-jang një marrëveshje për krijimin e një “zone të veçantë
për paqen dhe bashkëpunimin ekonomik”. Liderët e dy Koreve impenjohen gjithashtu të
takohen sërish, për të nënshkruar një traktat paqeje, i cili duhet të zëvendësojë
armëpushimin e vitit 1953, që i dha fund Luftës së Koresë. Dokumenti konsiderohet
tashmë historik, jo vetëm për rëndësinë që ka për të dyja vendet, por edhe për pasojat
në nivelin ndërkombëtar. Parashikohet një ndryshim ekuilibrash gjeopolitike në zonën
aziatike, siç na shpjegon Pierxhorxho Peskali, ekspert i çështjes koreane për gazetën
kishtare italiane “Avvenire”: Me siguri do të ulë tensionin ndërmjet Koresë
së Veriut dhe Japonisë. Kohët e fundit në Japoni është ndërruar qeveria, e cila tani
është më e gatshme të dialogojë me Korenë e Veriut. Pastaj, marrëveshja do të lehtësojë
edhe bashkëpunimin, fillimisht ekonomik, me Korenë e Jugut. Aktualisht, rreth 30 ndërmarrje
koreanojugore punojnë në Korenë e Veriut e u japin punë 16 mijë koreanoveriorëve.
Marrin trifishin e pagës, në krahasim me punëtorët shtetërorë. A mund të mendohet
se në të ardhmen dy Koretë do të bashkohen? As Koreja e Veriut, as Koreja e
Jugut nuk e kanë ndërmend të shkojnë drejt gdishullit të bashkuar korean, sipas shembullit
të Gjermanisë. Hendeku ekonomik ndërmjet dy Gjermanive, në momentin e bashkimit, ishte
5 me 1 në favor të perëndimit. Por këtu flitet për 35 apo 40 me 1 në favor të Koresë
së Jugut. Flitet për një federatë me dy shtete dhe me dy ekonomi të ndara, njëra kapitaliste
e tjetra socialiste, të cilat do të afrohen dalëngadalë me ndihmën e Koresë së Jugut.
Vëzhguesit më të kujdesshëm flasin për një periudhë gati 50-vjeçare të nevojshme për
të mbushur hendekun ekonomik, para se të flitet për bashkim politik.