2007-10-03 17:56:39

Programi shqip i Radio Vatikanit mbushi 56 vjet.


(03.10.2007 RV)RealAudioMP3 “Laudetur Jesus Christus”
Kjo sigël, që vijon të dëgjohet sa herë hapet stacioni i Radio Vatikanit, na kujton së pari shërbimin që u bëri radiostacioni ynë katolikëve të izoluar pas perdes së hekurt, të cilët nuk kishin asnjë mundësi të komunikonin me Selinë Apostolike e me Kishën universale në periudhën e gjatë të diktaturës komuniste.
Në kushtet e diktaturës e për të njëjtin shërbim, më 3 tetor të vitit 1951, 56 vjet më parë, lindi programi i gjuhës shqipe pranë Radio Vatikanit. Në se dëshironi të ndiqni rrugën që përshkoi, të njiheni me ngjarjet kryesore që transmetoi e me personalitetet që e vizituan e folën nga mikrofoni ynë, mund të hapni faqen tonë të internetit. Në skajin e djathtë të saj do të lexoni titullin: “55-vjetori i themelimit të programit shqip pranë Radio Vatikanit”.
Është titulli i parë, me të cilin hapëm një faqe të re në historinë tonë 56 vjeçare: faqen e internetit me adresë: dubël vë, dubël vë, dubël vë.radiovaticana.org
Ishte kjo e reja që na solli viti 2006, ndërsa një vit më parë, më 10 nëntor 2005, në Radion e Papës ishte për vizitë kryeministri i Republikës së Shqipërisë, zoti Sali Berisha, i shoqëruar nga një grup politikanësh. Sillnin me vete Udhërin e Artë ‘Nënë Tereza’, nderimi më i lartë që jep qeveria shqiptare. Iu dorëzua Radio Vatikanit për meritat e mëdha në kohët e vështira të diktaturës, kur ishte një nga zërat e pakta që transmetonin të vërtetën e ngjallnin shpresat për të ardhmen.
Duke marrë në dorëzim Urdhërin e lartë, drejtori ynë i përgjithshëm, Atë Federiko Lombardi, përvijoi edhe programin tonë për të ardhmen:
“Se noi riceviamo…
Në se ne marrim një titull nderi për meritat e së kaluarës, duhet theksuar se e konsiderojmë si impenjim edhe për punën tonë në të ardhmen”.
Po viti 2007? Ç’të re na solli?
Në intervistën që i dha Radio Vatikanit dy vjet më parë, pyetjes “Keni ndërmarrë rrugën e reformave vendimtare dhe të luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”, kryeministri Berisha iu përgjigj:RealAudioMP3
Urojmë, prandaj, që në fund të vitit 2007 t’i kumtojmë botës shqiptare të renë e fitores përfundimtare të vlerave në betejën kundër antivlerave që, siç e dëgjuat, po vijon prej vitesh.
Më 27 shtatorin e kaluar, në kremtimin e 50-vjetorit të themelimit të Qendrës sonë Transmetuese nga ana e Piut XII, kardinali Tarçizio Bertone, sekretar i Shtetit të Shenjtërisë së Tij, përshëndeti, në emër të Papës, familjen e Radio Vatikanit dhe nënvizoi se misioni i të gjithë atyre që punojnë në radion papnore, është të përhapin në mbarë botën fjalën e Atit të Shenjtë.
“Laudetur Jesus Christus”, përshëndetja me të cilën hapen e mbyllen gjithnjë transmetimet e Radio Vatikanit – theksoi Hirësia e Tij – nuk duhet të jetë thjeshtë një lloj motoje apo sigle, por program pune e jete për secilin nga ju.E drejtori i përgjithshëm i Radios sonë, Atë Federiko Lombardi, shpjegoi se Radio Vatikani është mjeti teknik më i fuqishëm për përhapjen e mesazhit të Kishës në botë, posaçërisht në vendet ku liria fetare kufizohet e ku përdorimi i teknologjisë moderne është akoma mirazh.
"Laudetur Jesus Christus!”.







All the contents on this site are copyrighted ©.