2007-10-03 18:25:29

Koreja e Veriut do të shkatërrojë impiantet bërthamore brenda 31 dhjetorit e lajme të tjera


(03.10.07 RV)Përfundoi takimi i nivelit të lartë ndërmjet dy Koreve. Presidenti koreanojugor, Ruh Mu Hjun u shpreh i kënaqur nga bisedimet me kreun e Koresë së Veriut, Kim Jong Il. Nga bisedimet e Pekinit mbi programin bërthamor koreanoverior vjen lajmi i mirë i impenjimit të Piong-jangut për të shkatërruar impiantet atomike brenda 31 dhjetorit. Është një hap vendimtar e historik për të ulur tensionin në zonë.

Ambasadori polak në Irak ka mbetur i plagosur gjatë një shpërthimi në Bagdad. Kryeministri i Polonisë Kaçinski ka bërë të ditur se gjithsesi, Varshava nuk do të tërheqë trupat nga koalicioni që vepron në vend. Edhe kësaj radhe, rojet që shoqëronin karvanin, ishin të kompanisë Blekuotër, të përfolur muajin e kaluar për një sulm kundër civilëve irakianë. Sot, hetimet kanë nxjerrë në dritë, se në atë ngjarje mbetën të vrarë 17 civilë e jo 10, siç u deklarua fillimisht, dhe u plagosën 24 të tjerë. Rojet e kompanisë Blekuoter, të ashtuquajturit “kontraktors”, qëlluan mbi turmën në sheshin Nisur të Bagdadit pas shpërthimit të një autobombe.


Akoma tjetër atentat në Pakistan. Në veriperëndim të vendit 14 persona janë vrarë e 5 të tjerë janë plagosur gjatë shpërthimit të një bombe. Ndërkaq, ish-kryeministrja Benazir Buto, duke folur me gazetarët në Londër, deklaroi se bisedimet me presidentin Musharraf për ndarjen e pushtetit janë krejtësisht të bllokuara. Gjithashtu nuk është i vërtetë lajmi se akuzat për korrupsion kundër saj, të cilat e patën shtyrë në azil vullnetar më 1999, janë arkivuar.







All the contents on this site are copyrighted ©.