2007-10-03 17:55:40

Benedikti XVI në audiencën e përgjithme: ipeshkvijtë duhet ta mbrojnë pasurinë e fesë e të traditës nga interpretimet e gabuara, siç bëri Shën Çirili i Aleksandrisë.


(03.10.2007 RV)RealAudioMP3 “Besnikëria ndaj traditës është bazë për ruajtjen e fesë, që na e lanë trashëgim Apostujt”. Këtë na mëson, me jetën e veprimtarinë e tij baritore, Çirili i Aleksandrisë, njëri nga Etërit e mëdhenj të Kishës ndërmjet shekullit IV e V. Pikërisht falë mësimeve të tij të qarta, Çirili i Aleksandrisë fitoi betejën kundër herezisë më të rrezikshme të kohës së tij, asaj të Nestorit, që mohonte natyrën hyjnore të Krishtit. Benedikti XVI, që sot u rikthye nga Kastel Gandolfo në Vatikan, e përqëndroi pikërisht tek figura e Shën Çirilit katekizmin e audiencës së sotme të përgjithshme, mbajtur në Sheshin e Shën Pjetrit, në praninë e dhjetra-mijëra besimtarëve.
Shën Çirili – shpjegoi Benedikti XVI - garant i vazhdimësisë apostolike e doktrinore, që Papa Leoni XIII e shpalli në vitin 1882 ‘Doktor të Kishës’, qe një nga mbrojtësit e mëdhenj të fesë, i aftë të shkrinte në një, qartësinë e mendimit, qëndrimin koherent ndaj traditës dhe forcën e polemistit përballë kundërshtarëve të cilët, në shekujt e parë të krishterimit, u propozonin besimtarëve interpretime thellësisht të gabuara. Këtu qëndron edhe madhështia e Shën Çirilit, për jetën dhe veprimtarinë e të cilit foli sot Benedikti XVI përballë mijëra njerëzve, i pritur me entuziazëm të madh në Sheshin e Shën Pjetrit, nën rrezet e një dielli që më shumë të kujtonte stinën e verës, sesa fillimin e vjeshtës.
“Në lindjen greke – tha Papa, duke shpjeguar madhështinë e Shenjtit – Çirili u njoh si rojtar i fesë së vërtetë e madje, edhe si ‘vula e Etërve’. Kjo shprehje e lashtë sintetizon një karakteristikë themelore të Ipeshkvit të Aleksandrisë, i cili mbështetej gjithnjë tek autorët kishtarë pararendës (ndërmjet të cilëve, posaçërisht tek Shën Atanasi), për të treguar kështu se teologjia e tij ishte vazhdim i asaj të traditës”.
Ipeshkvi aleksandrin hyri në histori për ndeshjen me një ipeshkëv tjetër, Nestorin e Kostandinopojës, që nisi ta kremtonte Krishtin si njeri, duke mohuar hyjninë e Zotit e, prej këndej, edhe titullin e Marisë si “Nënë e Zotit”, që ishte përhapur kudo në botën e krishterë. Shën Çirili reagoi menjëherë, duke dërguar disa letra. E dyta hyri në histori për shumë arsye e, sidomos, për përkufizimin e shkëlqyer teologjik, që hedh poshtë qëndrimin e Nestorit lidhur me veçimin e dy natyrave të Krishtit. Ky përkufizim, që Benedikti XVI e citoi, u pranua, më pas, njëzëri nga Koncili i Kalçedonisë, në vitin 451:
Pohojmë kështu se janë të ndryshme natyrat, që u bashkuan në një unitet të vërtetë, por nga dy natyrat, rezulton një Krisht, një Bir i vetëm, jo sepse për shkak të unitetit u zhduk ndryshimi i natyrave, por sepse natyra hyjnore e ajo njerëzore, të shkrira në një bashkim të pashqyrtueshëm e të pashprehshëm, përftuan për ne një Zot, një Krisht, një Bir të vetëm”.
Përveç kësaj, në letrën e dytë drejtuar Nestorit, Shën Çirili skalit me mjeshtri të rrallë figurën e ipeshkvit dhe pergjegjësitë që ka në mbrojtjen, transmetimin dhe interpretimin e mësimeve të fesë:
“Në letrën e dytë që Çirili i dërgoi, në shkurt të vitit 430, pohohen qartë detyrat e barinjve për mbrojtjen e fesë së popullit të Zotit. Kriteri i tij, me vlerë edhe për sot, ishte: feja e popullit të Zotit është shprehje e traditës dhe garanci për doktrinën e shëndoshë”.
Duke u nisur nga kjo thellësi dhe freski e jetës së krishterë, që Shën Çirili i Aleksandrisë e dëshmoi gjatë gjithë jetës, Papa arriti në përfundimin:
“Feja e krishterë është sidomos takim me Jezusin, Vetje që i hap horizont të ri jetës. E Shën Çirili qe gjithnjë dëshmitar i palodhshëm i Jezu Krishtit, Fjalës së Hyjit të mishëruar, duke ia nënvizuar posaçërisht unitetin. Ky pohim, përveç kuptimit të vet doktrinor, tregon se feja në Jezusin, Logos i lindur nga Ati, është rrënjosur thellë edhe në histori sepse, siç pohon Shën Çirili, po ky Jezus erdhi në kohë, duke lindur nga Maria, nga Theotòkos apo Nëna e Zotit, e do të jetë, sipas premtimit, gjithnjë me ne”.
Gjatë përshëndetjeve në gjuhë të ndryshme, duke iu drejtuar shtegtarëve polakë, Papa kujtoi festën e madhe që do të kremtojë nesër Kisha katolike:
”Nesër në liturgji kujtohet Shën Françesku i Asizit i cili, duke i përngjarë Krishtit, hoqi dorë nga pasuritë tokësore. Na mësoi, kështu, se duhet të jemi të thjeshtë, të përvujtë e të pastër, që kur ta lemë këtë botë, ta marrim shpërblimin për dashuri. Të mësojmë nga Shën Françesku për ta jetuar fjalë për fjalë Ungjillin”.







All the contents on this site are copyrighted ©.