2007-10-02 17:09:18

Kosovë: Bashkimi Evropian duhet të vendosë nëse do të mbështesë pavarësinë


(02.10.07 RV)Ndërsa afrohet 14 tetori, dita e takimit të dytë serbo-kosovar në Bruksel, pas atij të 28 shtatorit në Nju Jork, po zë vend gjithnjë e më shumë ideja e shpalljes së njëanshme të pavarësisë nga ana e Prishtinës, pas 10 dhjetorit.
Sipas gazetës “International Herald Tribune”(Intërneshënëll Herëld Tribjun), kohët e fundit, vihet re një rritje e konsensusit mes zyrtarëve amerikanë dhe evropianë për ta çuar Kosovën drejt shkëputjes de facto nga Serbia. Në të vërtetë, periudha shtesë e bisedimeve serbo-kosovare vlen më tepër për t’u dhënë mundësi evropianëve të merren vesh për qëndrimin që duhet të mbajnë, sesa për të nxjerrë diçka të re nga palët. Sipas diplomatëve të Bashkimit Evropian, të cituar nga gazeta, Brukseli nuk do të pranojë një veto të Rusisë edhe për politikën e saj në Ballkan.
Shtete që kundërshtojnë planin e Ahtisarit janë vende me peshë të vogël, si Qipro, Greqia, Rumania dhe Sllovakia. Sipas Brukselit, as ato nuk duan probleme në rajon, të cilat, të paktën sipas raportit të fundit të sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki-Mun duhet të jenë të pritshme, pasi shqiptarët janë të pakënaqur nga zvarritja e procesit për përcaktimin e statusit. Disa aspekte të raportit, që do të paraqitet në Këshillin e Sigurimit të OKB-së më 9-10 tetor, zbulohen sot nga mediat perëndimore. Në të njëjtën ditë, do të bëhet publik edhe raporti i kreut të UNMIK-ut Joakim Ryker, i cili është dorëzuar tashmë në OKB.
Që Kosova është një provë e rëndësishme për Bashkimin Evropian, nuk ka dyshim as hartuesi i planit për statusin, Marti Ahtisari. Vetë Ahtisari, sëbashku me ish-ministrin e jashtëm gjerman, Joshka Fisher dhe me aktivisten për të drejtat e njeriut, Mabel van Oranje do të jetë në krye të Këshillit Evropian për Marrëdhëniet e Jashtme, të sapoformuar në Bruksel.







All the contents on this site are copyrighted ©.