2007-10-02 18:41:29

Fjalim i sekretarit të Selisë së Shenjtë për marrëdhëniet me shtetet, në OKB.


(02.10.2007 RV)“U takon prijësve fetarë të respektojnë, të parët, lirinë fetare të të tjerëve, duke e konsideruar këtë si parakusht për paqen ndërmjet popujve. E për ta forcuar paqen e sigurinë, janë të domosdoshëm dialogu e bashkëpunimi ndërmjet kombeve si edhe përpjekja e vazhdueshme për parandalimin e konflikteve”.
Këto ishin temat kryesore që preku kryeipeshkvi Dominik Mambertì, sekretar i Selisë së Shenjtë për marrëdhëniet me shtetet, në fjalimin e mbajtur dje para Asamblesë së Kombeve të Bashkuara, që vijon punimet në Pallatin e Qelqit.
Përfaqësuesi i Selisë së Shenjtë kujtoi edhe planin për risimin e gjithë sistemit të OKB-së, miratuar vjet, si dhe vlerën e tij për arritjen e objektivave të mëdha, që frymëzuan lindjen e Kombeve të Bashkuara 62 vjet më parë: mbi të gjitha, shpëtimin e breznive të ardhshme nga shuplaka e luftës, ringjalljen e besimit në të drejtat themelore të njeriut e në dinjitetin dhe vlerën e tij, sigurimin e respektit për të drejtën ndërkombëtare dhe promovimin e progresit shoqëror në atmosferën e lirisë universale.
Zëri i prelatit u ngrit fuqishëm përballë logut të kuvendit të kombeve, për t’i thënë ‘jo’ luftës e për të ripohuar dinjitetin njerëzor.Dialogu ndërmjet popujve me kultura e fe të ndryshme – shpjegoi prelati – nuk është një opcion, është i domosdoshëm për paqen dhe për risimin e jetës ndërkombëtare. E në vijim përfaqësuesi i Selisë së Shenjtë shprehu keqardhjen e tij për faktin se edhe sot e drejta për liri fetare vijon të mos respektohet, madje, në disa vende të botës, edhe të shkelet. Në se prijësit fetarë dhe besimtarët – shpjegoi prelati – presin që shtetet e shoqëria t’i respektojnë dhe t’i vlerësojnë fetë e tyre, si mjete të vërteta të paqes, duhet që ata vetë, së pari, ta respektojnë lirinë fetare; duhet të tregojnë qartë se punojnë për paqen, kundër dhunës; duhet të dëshmojnë se feja nuk është e nuk duhet të përdoret kurrë si pretekst për lindjen e konflikteve; duhet të deklarojnë pa kurrfarë mëdyshjeje se është kontradiktore të ngucësh dhunën ose të bësh luftë në emër të fesë.







All the contents on this site are copyrighted ©.