2007-10-02 18:41:42

Benedikti XVI fton për t’u lutur që të krishterët, atje ku janë pakicë, të kenë guximin ta dëshmojnë fenë.


(02.10.2007 RV)RealAudioMP3 Benedikti XVI i fton besimtarët të luten gjatë tetorit, muaj kushtuar Rruzares Shenjte, që të krishterët, të cilët përbëjnë pakicën në gjirin e popullsive me fe të tjera, të gjejnë forcë e guxim për ta dëshmuar fenë”. Papa e jep këtë porosi në letrën që përcakton ndjetet e përgjithshme për Apostullimin e Uratës. Të krishterëve, në vendet ku janë me pakicë, jo gjithnjë u sigurohet liria e duhur fetare. Në disa shtete, pastaj, dëshmia e fesë has pengesa të tjera me karakter kulturor, siç ndodh, për shembull, në Japoni. Të dëgjojmë, në mikrofonin tonë, inspektorin salezian të vendit aziatik, atë Orlando Pupon, me telefon nga Tokio:
Përgjigje: - Në këndvështrimin ligjor, thuhet se ka liri abosolute kulti. Por në praktikë, posaçërisht në zonat fshatare, liria fetare mungon. Është e vështirë të bëhesh i krishterë, sepse ka paragjykime të shumta të cilat të pengojnë seriozisht e sidomos, në se dëshiron të martohesh me një të krishterë. Kur ndonjë njeri kthehet në fenë e krishterë, ndodh shpesh të izolohet nga të afërmit. Prandaj mund të themi se duhet guxim për t’u bërë i krishterë e se ata pak që bëhen, janë të krishterë të bindur. E dinë se kanë marrë një vendim tepër personal, që i lidh me Krishtin e se u ka pëlqyer më shumë të zgjedhin Krishtin, sesa traditat e këndvështrimet e shumicës së shoqërisë, në gjirin e së cilës jetojnë.
Pyetje: - Si duhet ta jetojnë e ta dëshmojnë fenë e tyre të krishterët, atje ku përbëjnë pakicën?
Përgjigje: - Pjesëmarrja në liturgji është dëshmia më e dukshme në nivelin publik. Ndërsa në sferën personale, ka rëndësi të sillen, të flasin e, sidomos, të jetojnë si të krishterë, ndonëse u duhet të shkojnë kundër rrymës, që nuk është e krishterë.
Pyetje: - Atë, ç’mund të themi për karakteristikat që kanë në Japoni këto dy përmasa: dëshmia e dukshme e ajo personale?
Përgjigje: - Katolikët e huaj janë më të shumtë se ata japonezë, për shkak të emigracionit. Prandaj nganjëherë ka një kontrast të dukshëm në mënyrën si manifestohet e si shprehet feja e krishterë, posaçërisht në liturgji. Përsa i përket përmasës shpirtërore, është vërtetë e krishterë, kur Ungjilli pranohet me gëzim, kur njerëzit janë të sigurtë se i ka thirrur Zoti, se i ka zgjedhur e i ka dërguar vetë Krishti.
Pyetje: - Papa i nxit gjithë të krishterët të jenë misionarë, ta dëshmojnë Ungjillin. Ç’do të thotë të jesh vërtetë misionar, posaçërisht në Japoni?
Përgjigje: - Për mua, do të thotë të mos shkosh pas rrymës. Ka një rrymë që të lejon të sillesh si të duash, një koncept hedonistik, sipas të cilit duhet gëzuar me fund, sepse gjithçka përfundon me jetën tokësore. Ndërsa i krishteri duhet të ketë jetë të pastër, të përpiqet për ta ruajtur këtë pastërti, edhe atje ku mjedisi është i papastër, të jetë i ndershëm, edhe ndërmjet njerëzve të pandershëm, të jetë besnik, edhe atje ku mbretëron pabesia.
Pyetje: - Cilat janë kërkesat e një Kishe në mision?
Përgjigje: - Ata për të cilat flet Papa: “Të mos kesh frikë ta komunikosh fenë, të bëhesh misionar”. Fenë nuk e marrim vetëm për vetvete. Feja merret nga Zoti, për ta ndarë me të tjerët me fjalë e me vepra; merret duke jetuar sipas kësaj feje. Duhet të jemi koherentë me hirin që kemi marrë e që e kemi pranuar.







All the contents on this site are copyrighted ©.