2007-10-02 18:45:06

Atë Bernardin Palaj OFM në 113-vjetorin e ditëlindjes.


(02.10.2007 RV)Atë Bernardini (02. 10. 1894 - 1948), françeskan shqiptar, martir i fesë katolike, poet, foklorist, studiues i letërsisë e i historisë së kishës, një nga figurat më të ndritura të asaj që njihet si "shkolla letrare e fretënve", lindi më 2 tetor 1894 në një familje me origjinë nga Shllaku. Mësimet e para dhe të mesme i mori në shkollën françeskane në Shkodër, ku u thirr nga Zoti për rrugën e meshtarisë në Urdhërin e Fretërve të Vegjël. Pas mbarimit të shkollës së mesme, u nis për studime në Graz të Austrisë, ku kreu filozofinë e teologjinë dhe u shugurua meshtar.
U kthye menjëherë në Atdhe, ku filloi veprimtarinë meshtarake, kulturore e didaktike, duke shërbyer si famullitar ndër fshatrat e vendlindjes e si mësues në liceun ‘Illyricum’. Krahas veprimtarisë meshtarake, nisi të mblidhte thesaret e krijimtarisë gojore të popullit, gojëdhëna, këngë, doke, zakone. Atë Bernardinit i takon merita e pamohueshme e mbledhësit të parë të epikës legjendare shqiptare. Ai, së bashku me sivëllaun, Atë Justin Rrotën, të dy njohës të mirëfilltë të folklorit e të mitologjisë shqiptare, i dhuruan kulturës kombëtare një nga brilantët më të ndritshëm: përmbledhjen e parë të Këngëve të Mujit e të Halilit, botuar së pari në vitin 1939 me titullin “Kangë kreshnikësh e legjenda”, ribotuar kohët e fundit në kolanën e veprave të françeskanëve të mëdhenj.
Botoi shumë shkrime në shtypin klerikal të kohës, posaçërisht në “Hyllin e Dritës” e në “Zanin e Shëna Ndout”, por edhe në gazetën “Tomori”. Palaj ishte anëtar i Institutit të Studimeve Shqiptare që më 1940. Ka botuar edhe librat "Prej burgut të jetës"; "Vorreve të flamurit", "Kuq e zi, "Mite, besime, legjenda" (ribotuar pak vite më parë në Kosovë); "Kanuni i maleve" etj.
Si shpërblim për të gjithë këto merita, më 1947 u burgos. Pasi u torturua mizorisht, një ditë ogurzezë të vitit 1948 u lidh shtrëngueshëm me tel të ndryshkur, që i hapi plagë vdekjeprurëse e u flak nën shkallët e spitalit të burgut, ku dha shpirt mes dhimbjesh të papërshkrueshme, shkaktuar nga tetanozi, si martir i fesë e dëshmor i lirisë.
Ndërsa mbytej e mohohej në atdhe, në mërgatën shqiptare për krijimtarinë e tij u interesua vazhdimisht Ernest Koliqi, i cili botoi shumë shkrime të tij e për të, ndërsa nxiti studenten e vet, Angjela Çirinçione, të botonte me koment poezitë e mrekullueshme të fratit poet, përplot me aromën e luleve të egra të Dukagjinit e me xixëllimin e gurëve të çmueshëm, huajtur nga eposi, ribotuar anastatikisht një vit më parë në kolanën e françeskanëve të mëdhenj.
Me Atë Bernardinin është marrë edhe profesor Alfred Çapaliku, i cili ka botuar "Monografinë" e françeskanit. Megjithatë, figura shtatlartë e fratit meriton shumë më tepër. Ka ardhur e ka kaluar koha që ai të zërë vendin që i takon në letrat shqipe, duke botuar edhe veprën e tij të plotë.
Në vitet '30 Atë Bernardini shikohej si poeti që do të zinte vendin e Atë Fishtës, duke sjellë një frymë të re moderne në letrat shqipe. Në vitin 2007, vit i 112- vjetorit të ditëlindjes së tij, Atë Bernardin Palaj OFM është një nga kandidatët shqiptarë të martirizuar nga komunizmi për t’u lartuar në nderimet e elterit!

Atë Bernardin Palaj: “I erdh dita veres-è”
Fragment nga poemthi  ‘Ndërmjet të Shëngjergjavet’
Drita dalë, dielli pá lé...
Nji bylbyl qi drypte maleve
N’ato breshta, n’krye t’do valëve,
Nji kângë t’ré
Plot haré
N’agshol t’dritës, mirë pá ague,
Ámel zânin tu’ e dringllue,
Aj po kndote:
Kndote e kndote, kurr s’pushote.
Xânë e kishte aj hylli i drites
N’ato fushat e Mirdites;
Xânë e kishte aj hylli i nates
Larg n’ do bjeshkë, mbi fusha t’Mates.
Andej prronit, n’krye t’tânë fshatit,
Brîs s’njaj shpatit,
Dirgjej zogu tuj kendue,
Shokët prej gjûmit per me i çue;
Kce n’at dardhë e kce n’at ftue,
Tash mbí pjeshkë e tash mbi mollë,
Dridhte at zâ t’bukur e t’hollë
Nepër dritë tuj ferfullue,
Marë natyrën, tuj e shlodhë,
Pse i shpetoj kjo dimnit-è,
Pse i erdh dita veres-è.
N’at ag drite
Nji zâ i âmël shkote e vîte;
Mali zânin e persritte:
Kumonës murgu at-herë po i bite.
Tym nder ballna qitshin bjeshkët…
 







All the contents on this site are copyrighted ©.