“Shën Tereza e Krishtit Fëmijë i mëson të krishterët të jenë misionarë atje ku jetojnë”:
letër e Benediktit XVI drejtuar kardinalit Ivan Dias.
(01.10.2007 RV)Në letrën drejtuar kardinalit Ivan Dias, prefekt i Kongregatës
për Ungjillëzimin e Popujve, me rastin e Vitit të Misionit në Francë dhe të 80-vjetorit
të shpalljes së Shën Terezës së Krishtit Fëmijë ‘Pajtore e Misioneve’, Benedikti XVI
porosit: “Çdo i krishterë të jetë misionar atje ku jeton, ashtu si Shën Tereza e Lisië
e cila, ndonëse nuk u largua kurrë nga Karmeli, gjeti udhën e vet për të jetuar me
shpirt të vërtetë misionar, ‘një rrugë e re shpirtërore’ dhuruar botës, që ndihmoi
shumë në lindjen e thirrjeve të reja meshtarake e rregulltare”. 1 tetori është
dita e kremtimit të festës së Shën Terezes Martin, një nga Shenjtoret më të njohura,
doktore e Kishës, mësuese e kohëve moderne, Pajtore e Misioneve dhe Pajtore e dytë
e Francës. Shën Tereza lindi në Alençon, në Francë, nga një familje e borgjezisë
të vogël (i ati ishte orëndreqës), ku mori edukatë katolike. Në moshë ende të njomë,
u dallua për besimin e thellë fetar si dhe për një karakter të pavarur. Zgjodhi
shumë shpejt rrugën e Karmelit, duke u mbyllur në një nga kuvendet e Klauzurës ku
kaloi vitet e pakta të jetës së saj në një atmosferë thellësisht mistike. Vdiq nga
tuberkulozi pa i mbushur ende 24 vjetët. Ndërronte jetë, në sa nata e 30 shtatorit
i hapte shtegun ditës së 1 tetorit. Vinte te këmbët e Kryqit vuajtjet e saj, si flije
shpërblimi për shpirtrat e mëkatarëve. Eshtë shenjtja e dialogut dhe e buzëqeshjes.
Duke vdekur, la pas vetes, gjithmonë të gjallë, mesazhin e madh "të rrugës së vogël"
përmes së cilës mund të arrihet te Krishti. E ky mesazh nuk do të vdiste me të. E
motra, Paolina, që e pati nxitur ta shkruante përvojën e saj shpirtërore, vendosi
t'i botonte "Fletoret " e Terezës. Fama e Shenjtërisë së Motrës së vogël të Krishtit
Fëmijë, të cilën ndër figure e shikojmë me Kryqin në njërën dorë e me një tufë trëndafila
në tjetrën, u përhap me shpjetësi. Pati premtuar të reshte një shi trëndafilash mbi
njerëzimin: reshi hire, me aromë edhe më të mirë se ajo e luleve. Më 19 tetor 1997,
Papa Gjon Pali II, duke vlerësuar lart doktrinën e saj shpirtërore, i dha titullin
"Dijetare të Kishës Universale": është gruaja e tretë që meriton një nderim të tillë
në Kishë, pas Katerinës së Sienës dhe Shën Terezës së Avilës.Emrin e saj e mori Nëna
jonë Terezë: me lumnimin e saj, Kisha universale njeh tri Tereza të mëdha!