2007-10-01 17:11:05

Dom Prenkë Ndrevashaj në përvjetorin e tretë të vdekjes.


(01.10.2007 RV)RealAudioMP3 Dom Prenkë Ndrevashaj, i lindur në Brashtë të Shoshit, në Dukagjin, më 24 qershor 1928, në familjen e njohur për trimëri e urti të Sokol Ndrevashajt, i mbylli sytë përgjithmonë nga një infarkt në zemër, në sa kishte shkuar për vizitë prej Amerike, ku jetonte, në Shkodër.
Nxënës i Kolegjit të famshëm Saverian të Etërve Jezuitë, ai u nis heret për rrugën meshtarake, në sa njihej si një nga seminaristët më mprehtë, më të kulturuar e më premtues të shkollës. Arriti të merrte dëftesën e pjekurisë, kur portat e Kolegjit po mbylleshin, për t’u rihapur pas një kohe tepër të gjatë. Në vend të studimeve të larta, nisi rrugën e Kalvarit. Në fillim shërbeu si mësues në Dajç, më pas në Burrel e në Mat, vende që të kujtojnë burgje e kampe përqëndrimi; pastaj, duke dëshiruar me gjithë zemër të bëhej prift, u vendos në Tiranë, ku studioi filozofinë e teologjnë nën drejtimin e Atë Pjetër Meshkallës, asokohe në Kryeqytet. Këtu u burgos e, në sa transferohej me pranga në duar për në burgun e Shkodrës, ia doli mbanesh të ikte e më pas, së bashku me nënën e motrën, rregulltare servite, të kapërcente kufirin e Shqipërisë e të hynte në Jugosllavi.
Më 1961, pasi pati shërbyer si mësues në Gusi, arriti të regjistrohej në Universitetin Urbanian të Romës dhe të realizonte dëshirën më të madhe të jetës: më 20 dhjetor 1961 çoi Meshën e parë.
Prej këndej nisi misionin e kapelanit për shqiptarët e arratisur në Itali e më vonë në Amerikë. U vendos në Detroit-Miçigan, ku krijoi famullinë e parë të shqiptarëve dhe ndërtoi kishën “Zoja-Pajtore e Shqiptarëve”, në të cilën shërbeu deri në moshën e pensionit.
Më 1991, kur iu hapën rishtas portat e Atdheut, nisi të shtegtonte shpesh drejt Shqipërisë, gjithnjë i ngarkuar me ndihma. Ishte në Shqipëri, e pikërisht në Shkodër më 1 tetor 2004, kur zemra e tij fisnike pushoi së rrahuri.
Dom Prenka, poet e përkthyes shumë i talentuar, bashkëpunoi me revistën ‘Shêjzat’ të Ernest Koliqit, ku botoi disa poezi që shquhen për fjalorin e tyre tepër të pasur, karakteristik për të folmen e Dukagjinit. La trashëgim disa dorëshkrime të vyera, ndërmjet të cilave, edhe përkthimin, në dialektin gegë, të Mesharit të të dielave e të disa fragmenteve të Psalmeve.U salikua më 3 tetor dhe u varros në Kapelën e Rrëmajit, duke realizuar një ëndërr tjetër të dashur: pushimin në paqe në tokën amtare.







All the contents on this site are copyrighted ©.