2007-10-01 17:11:16

94-vjetori i botimit të numrit të parë të revistës "Hylli i Dritës".


(01.10.2007 RV)RealAudioMP3 Shfletojmë kalendarin tonë për të përkujtuar 94 vjetorin e daljes së numrit të parë të revistës së njohur të françeskanëve shqiptarë "Hylli i Dritës" - pasqyrë e lavdishme, por jo më pak tragjike, e historisë së Kombit tonë, për lirinë e të cilit u përpoqën autorët e saj françeskanë e laikë, duke shkruar sa me bojë, aq me gjak.
Numri i parë i revistës u botua më 1 tetor 1913, për t'u ndëprerë menjëherë, sepse doli haptas në mbrojtje të lirisë e të drejtave kombëtare, seriozisht të kërcënuara një vit pas shpalljes së pavarësisë e para fillimit të Luftës I Botërore. Ja ç’shkruan Atë Gjergj Fishta në numrin e parë ‘Hyllit’:
"E tuj kenë se me të hîm t' ushtrive ndërkombëtare në Shkodër mbaroi nata e errshme e robnisë e për Shqipëtarë filloi me ague e bardha dritë e Lirisë, e kemi quejtë ketë të Përkohëshme tonë: "Hylli i Dritës", përsè âsht tue lé nepër ag të qytetnisë së Shqipënisë. E porsi Hylli i Dritës me fërfllim t'ambël të vetin ngjall shpënesët e shueme në zemër të shtegtarit, errun ndër shkretí të mjerueme, (ashtu) na do të përkujdesena, qi edhe e Përkohëshmja jonë të mrrijë me ngjall shpënesën ndër zemra të Shqipëtarëvet se prej Hyut ditë mâ të mira kanë me iu reshë Shqipënisë" (H.D. I. 1913, 4-8).
Revista rifilloi të botohej në maj të vitit 1921, për të heshtur rishtas nga nëntori i 1944-tës deri në nëntor të 1993-shit. Nga 1993 u duk përsëri nën drejtimin e njërit nga fretërit e paktë që kishin shpëtuar gjallë nga persekutimi: Atë Zef Pllumit. Shumë shpejt u ngrit po në atë rang të lartë që kishte pasur dikur ajo e revista Leka e etërve jezuitë. Por po aq shpejt iu desht edhe të mbyllej sërisht. Numri i saj i fundit u botua më 1997: pati, pra, katër vjet jete. U hap përsëri në vitin 2006, gjithnjë nën drejtimin e Atë Zef Pllumit.Përvjetorin e 94-të të daljes së numrit të parë të revistës zëmadhe françeskane po e përkujtojmë pikërisht një ditë pas varrosjes së drejtorit të saj, Atë Pllumit, që le një zbraztësi jo të paktë edhe në vijimin e botimit të ‘Hyllit’, duke qenë e vetmja firmë françeskane shqiptare që dukej kohët e fundit në faqet e Revistës.







All the contents on this site are copyrighted ©.