2007-09-30 16:25:10

Shenjtorët e Javës sipas Kalendarit kishtar.


(30.09.2007)Sot, e diela XXVI e kohës së zakonshme gjatë vitit kishtar, u përkujtuan edhe Shën Jeronimi, meshtar e doktor i Kishës dhe Shën Françesk Borgjia, jezuit.
hënën Kisha do të kremtojë Shën Terezën e Krishtit Fëmijë, virgjër karmelitane, doktore e Kishës e pajtore e misioneve. Në liturgjinë e festës, profeti na kujton se Zoti bën mrekulli, që ne mund të na duken të pamundura, ndërsa më pas leximi i Ungjillit na siguron se për Zotin nuk ka asgjë të pamundur e se praninë e tij e shikojmë vazhdimisht ndër fëmijët e në të gjithë njerëzit e pambrojtur.
Të martën, festa e Engjëjve të Rojës, na kujton se Zoti dërgon engjëjt e tij për të na shoqëruar në çdo hap të jetës sonë. Engjëjt e Hyjit mbrojnë posaçërisht më të vegjlit, ata që shoqëria i përbuz e i flak jashtë radhëve të saj.
Liturgjia e festës së Shën Kandidës martire, që Kisha do ta kremtojë të mërkurën, na nxit të meditojmë për detyrën tonë si të krishterë në ndërtimin e mbretërisë së Hyjit. Është thirrje themelore, që Jezusi na e përsërit çdo çast, duke na kujtuar se kjo thirrje duhet të na nxisë t’i duam të tjerët e jo ta ndjejmë veten më të mirë se ata.
Shën Françesku i Asizit, themelues i Urdhërit Françeskan, Pajtor i Italisë, që do të kremtohet të enjten, na kujton se vizioni optimist i Varfanjakut të Asizit për gjithësinë duhet parë si shembull e nxitje edhe në ditët tona, sepse i kundërvihet konceptimit aktual, që duke e parë botën me syrin e fitimit, përpiqet të na bindë se sendet e njerëzit vlejnë vetëm atëherë kur na shërbejnë.
Shenjtorët Plaçido e Mauro, nxënës të Shën Benediktit; Shën Gala, vejushë romake e Shën Maria Faustina Kovalska, virgjër, që do të kremtohen të premten e ardhshme, na kujtojnë se duhet të pendohemi, t’i rrëfejmë mëkatet tona e të ndërrojmë stilin e jetës, duke u përpjekur ditë për ditë të ecim në gjurmët e Krishtit.
Sot kemi frikë ta përfytyrojmë Zotin si gjykatës, sepse harrojmë që ai nuk na dënon për të kënaqur veten, por për të na shpëtuar nga dënimi i amshuar. Këtë na kujton liturgjia e festës së Shën Brunonit të Kalabrisë, themelues i Çertozinëve, që do të përkujtohet të shtunën e ardhshme.







All the contents on this site are copyrighted ©.