2007-09-29 18:02:48

Në festën e Shenjtorëve Kryeengjëj, Papa shuguron gjashtë ipeshkvij të rinj dhe kujton se Zoti na thërret të jemi engjëj për njëri-tjetrin.


(29.09.2007 RV)Njerëzit duhet të bëhen ëngjëj për njëri-tjetrin, por kjo detyrë sigurisht i takon në mënyrë të veçantë ipeshkvit, që është thirrur nga Hyji për të qenë ndërmjetës i Zotit mes njerëzve. Kështu u shpreh sot paradite Papa në bazilikën e Shën Pjetrit në Vatikan përballë mijëra besimtarëve, në sa kryesonte Meshën Shenjte për shugurimin ipeshkvnor të gjashtë meshtarëve, në ditën kur Kisha kremton festën e tre Kryeengjëjve: Mikelit, Gabrielit e Rafaelit.
Janë lajmëtarë ndërmjet qiellit e tokës, ndërmjet madhështisë së Zotit e mjerimit të bijve të tij engjëjt si Mikeli, i cili i krijon Zotit hapësira në shpirtin e njeriut që nganjëherë tundohet të largohet nga Hyji; si Gabrieli, që e çon Krishtin në zemrën e njeriut; si Rafaeli, mjeku që pastron dashurinë ndërmjet burrit e gruas e që shëron verbërinë e njeriut, i cili nuk është në gjendje t’i shikojë punët e qiellit. Këtë theksoi sot Ati i Shenjtë në homelinë e Meshës dhe në vijim shpjegoi se engjëjt janë lajmëtarë të Hyjit, ia sjellin Zotin njerëzve, hapin qiellin e kështu hapin edhe tokën. Pikërisht nga që rrinë pranë Zotit, mund të qëndrojnë edhe pranë njeriut. Edhe ipeshkvi është ai që hap qiellin e tokën e, ashtu si ëngjëjt – vijoi të shpjegonte Papa - i tregon njeriut kush është në të vërtetë, i zbulon atë, që nganjëherë është e fshehur e e varrosur në shpirtin e tij. I bën thirrje të hyjë në vetvete, duke e prekur nga ana e Zotit. Në këtë kuptim – porositi Papa – edhe ne duhet të bëhemi vazhdimisht ëngjëj për njeri-tjetrin, engjëj që na largojnë nga rrugët e gabuara e na tregojnë rrugën që na rikthen tek Zoti.
Kështu, përmes një homelie shumë të pasur me mendime, Benedikti XVI skicoi karakterin unik të misionit ipeshkvnor, në ditën kur duart e tij pushuan mbi kokat e gjashtë njerëzve, që u shuguruan, duke u ngritur në dinjitetin e ipeshkvit. Ipeshkvijtë e rinj janë: imzot Miçislav Mokricki, i zgjedhur kryeipeshkëv ndihmës i kryedioqezës së Lvivit të Latinëve; imzot Françesko Gjovani Brunjaro, i zgjedhur ipeshkëv titullar i Kamerino-San Severino në Marke (Itali); imzot Xhanfranko Ravazi, i zgjedhur ipeshkëv titullar i Vilamanjës Prokonsolare, emëruar kryetar i Këshillit Papnor të Kulturës, Komisioneve Papnore për pasuritë kulturore të Kishës dhe Arkeologjisë kishtare; imzot Tomazo Kaputo, i zgjedhur kryeipeshkëv titullar i Otrikolit dhe i emëruar nunc apostolik në Maltë e në Libi; imzot Sergjio Pagano, prefekt i Arkivit Sekret të Vatikanit, i zgjedhur ipeshkëv titullar i Çelenës dhe imzot Vinçenco Di Mauro, i zgjedhur ipeshkëv titullar i Arpit, emëruar sekretar i Prefekturës për çështjet ekonomike të Selisë së Shenjtë. Duke i shuguruar, Benedikti XVI kujtoi se të krishterët e parë i quanin ipeshkvijtë ‘engjëj’ të Kishës së tyre, për të vënë dukje se duhet të jenë njerëz të Zotit, që duhet ta kalojnë jetën duke ecur në rrugë të drejtë, duke u lutur e duke ndërmjetësuar për njerëzit pranë Hyjit. E sa më shumë ta bëjnë këtë, aq më shumë do të arrijnë t’i kuptojnë njerëzit që u janë besuar e do të bëhen për ta engjëj të vërtetë, kasnecë të Hyjit, që i ndihmojnë njerëzit të gjejnë natyrën e tyre të vërtetë, vetveten, ta jetojnë idenë se Hyji është në shpirtin e tyre.
Përkundrazi - vërejti Papa :
“Kush e lë mënjanë Hyjin, nuk e bën njeriun të madh, por i heq dinjitetin. Atëherë njeriu bëhet prodhim i parealizuar i evolucionit. Kush fajëson Hyjin, fajëson edhe njeriun. Feja në Tënzonë e mbron njeriun në të gjitha ligështitë e në të gjitha mungesat e veta; drita e Zotit ndriçon mbi çdo njeri. Është detyra e ipeshkvit, si njeri i Zotit, t’i krijojë Hyjit hapësirën e duhur në botë duke iu kundërvënë mohimeve e duke mbrojtur kështu madhështinë e njeriut”.Kryengjëlli Gabriel, që i kumtoi lindjen e Jezusit Nënës së tij, është ai që shpreh dëshirën e Krishtit për të hyrë në zemrën e njeriut. Zoti – theksoi Papa – është tek porta, tek porta e botës e tek porta e çdo zemre. U takon ipeshkvijve të trokasin në zemrat e njerëzve, në emër të Krishtit – tha në vijim të homelisë Benedikti XVI e, në përfundim, kujtoi Shën Rafaelin, shëruesin e plagëve në shpirtrat e njerëzve që nuk e njohin ose nuk duan ta pranojnë të vërtetën dhe dashurinë. Sipas traditës kishtare – kujtoi Benedikti XVI – Shën Rafaeli njihet për shërimin e dashurisë njerëzore, sepse dëbon djajtë, që trondisin bashkimin ndërmjet burrit e gruas. E veç kësaj, u kthen të verbërve dritën e syve:
“E dimë të gjithë se sot kërcënohemi nga verbëria, që rrezikon të na pengojë për ta parë Zotin, për ta shijuar dritën e tij, të verbuar siç jemi nga sendet materiale. Ta shërojë këtë verbëri përmes mesazhit të fesë dhe dëshmisë së dashurisë, ky është shërbimi i Rafaelit, që i besohet ditë për ditë meshtarit e, në mënyrë të posaçme ipeshkvit”.







All the contents on this site are copyrighted ©.