2007-09-29 13:15:48

Liturgjia e Fjalës së Zotit e së dielës së 26-të "C"


(29.09.07 RV)Ja përsëri në takimin tonë javor të së shtunës me Fjalën e Zotit të së dielës, këtë herë do të dëgjojmë e meditojmë së bashku leximet biblike të liturgjisë së Fjalës Hyjnore të dielës së 26-të gjatë vitit kishtar, ciklit të tretë, sipas kalendarit të liturgjisë kishtare.
Tema kryesore e leximeve biblike të kësaj së diele është e qartë: Jezusi dëshiron të na flasë për varfërinë ungjillore, për një jetë të krishtërë në përkim me vullnetin e Hyjit e sipas mësimeve të Tij hyjnore. Shëmbëlltyra e Lazrit të varfër tregon me qartësi dënimin sipas meritës apo sipas fajit që godet ata njerëz që jetojnë vetëm e vetëm për të grumbulluar pasuri materiale e kalimtare; vizioni i asaj që do të vijë në mbarim të ekzistencës, duhet të na ndihmojë të kapërcejmë vizionin e jetës sipërfaqësore e të bazuar vetëm mbi para – dinarë.
Letra e parë e Timoeut (1Tim 6,11-16), duke vënë theksin mbi fenë, na tërheq vëmendjen të ruhemi nga mashtrimi i pasurisë.  Duhet t’i lexojmë me shumë kujdes rreshtat para atyre që  shpallen në liturgjinë e kësaj së diele:'Nuk kemi sjellë asgjë në këtë botë' e 'nuk do të bartim me vete asgjë' ( rr.7), apo: 'Dashuria për para është rrënja e të gjitha të këqijave' (rr. 10).
Nuk  ndryshon mesazhi i Amosit profet (Am 6,1°.4-7) i cili me vrull profetik shpall dënimin hyjnor mbi ata njerëz që, angazhohen vetëm për grumbullimin e pasurive e kudjesen për kënaqësinë e epsheve, që me pasuri mund të sigurojnë për vete, por nuk kujdesen më për “shkatërrimin që i kanoset Izraelit”; kështu ata do të jenë të parët që do të goditen nga dënimi hyjnor. Amosi qorton me një guxim të padëgjuar të pushtetshmit e Samarisë, që jetonin në luks e shfrenim duke mos u përkujdesur fare për jetën e fatet e Vendit.
Ungjilli i shën Lukës (Lk 16,19-31) me shëmbëlltyrën e pasanikut trajton një temë të ngjashme, duke na çuar tek thelbi i mësimit të liturgjisë së Fjalës të kësaj së diele. Veçanërisht domethënëse është përmbysja, ndryshimi rrënjësor i fatit të dy protagonistëve pas vdekjes së tyre: i pasuri zhytet në humnerën e ferrit, derisa Lazri i varfër bartet prej engjëjve në parajsë, pranë Abrahamit.00:18:56:83







All the contents on this site are copyrighted ©.