(28.09.2007 RV)Trupi i Atë Zef Pllumit arriti në orën 14. 30 aeroportin ‘E
Lumja Nënë Terezë’ të Rinasit, ku u prit nga përfaqësues të botës politike e kulturore,
që kishin dalë për t’i bërë nderimet trupit të françeskanit të ndjerë. Më pas
arkivoli me trupin e Atë Zefit u nis për në Shkodër. Në Sheshin e Parrucës do të dalin
për ta pritur përfaqësues të të gjitha shtresave të popullsisë, që do ta përcjellin
drejt Kishës Françeskane të Gjuhadolit, ku trupi i pajetë i françeskanit do të qëndrojë
deri të dielën në orën 13. 00 për homazhe. Në këtë orë do të nisë procesioni i përcjelljes
së trupit nëpër rrugët e Shkodrës që çojnë në katedralen e Shën Shtjefnit, ku në orën
14. 00 do të fillojë kremtimi i Meshës për shpirtin e françeskanit të ndjerë. Siç
kemi njoftuar, Meshën e salikimeve do ta kryesojë kryetari i Konferencës Ipeshkvnore
Katolike të Shqipërisë, kryeipeshkvi Metropolit i Tiranë-Durrësit, Imzot Rrok Mirdita,
në bashkëkremtim me kryeipeshkvin metropolit të Shkodër-Pultit, Imzot Angjelo Masafrën,
me provincialin e provincës françeskane të Zojës Nunciatë, Atë Gazmend Tinajn dhe
me ipeshkvij, meshtarë e rregulltarë të të gjitha dioqezave të Kishës Katolike në
Shqipëri. Të pranishëm, përfaqësues të feve të tjera e të botës politike e kulturore.Në
përfundim të Meshës, trupi do të mbartet përsëri me procesion, për të pushuar në paqe
në kapelën e françeskanëve, pranë Kishës së Zojës Rruzare tek Arra e Madhe.