Mianmar: vazhdon protesta. Nesër në vend i dërguari i OKB-së.
(28.09.07 RV)Mianmari gati në gjendje lufte. Vazhdojnë edhe sot protestat kundër
xhuntës ushtarake, e cila ka vështirësi në mbajtjen nën kontroll të situatës. Numri
i viktimave nuk dihet saktësisht. Sipas disa burimeve është 15, ndërsa sipas disa
të tjerave duhet dyfishuar, madje arrin në 35. Popullsia civile i mbron murgjërit
budistë edhe me jetën. Gjatë natës së djeshme, shumë kontrolle të policisë në manastiret
budiste janë ndaluar nga populli, që rrethonte manastiret me shkopinj në duar. E nuk
janë vetëm budistë, por edhe të krishterë, myslimanë e hinduistë. Nesër, pritet që
të arrijë në Jangon, i dërguari i OKB-së, Ibrahim Gambari, ndërsa Këshilli për të
Drejtat e Njeriut ka vendosur që të martën të zhvillojë një mbledhje të jashtëzakonshme
mbi situatën në Mianmar. Nga e gjithë bota arrijnë gjeste solidariteti.