2007-09-28 16:51:13

Kardinali Toran në mesazhin për përfundimin e Ramazanit: “Të krishterët dhe myslimanët të promovojnë së bashku paqen, lirinë fetare dhe të drejtat e njeriut”.


(28.09.2007 RV)“Të krishterët e myslimanët janë të thirrur të promovojnë kulturën e paqes”: ky është titulli i Mesazhit drejtuar besimtarëve myslimanë nga kardinali Zhan-Lui Toran, kryetar i Këshillit Papnor për dialogun ndërfetar, me rastin e festës islamike të Id’ al-Fitr që, në fund të muajit tetor, shënon përfundimin e Ramazanit.
“Të krishterët e myslimanët janë të thirrur të punojnë, me respekt reciprok, për paqen dhe ardhmërinë më të mirë të mbarë njerëzimit”: këtë uron kardinali Toran në mesazhin e tij të rastit.
Në periudhën e trazuar që po kalojmë – pohon Hirësia e Tij – besimtarët e feve të ndryshme, si shërbëtorë të Hyjit të gjithëpushtetshëm, e kanë për detyrë të punojnë në mbrojtje të paqes, duke respektuar si bindjet vetjake e komunitare të secilit, ashtu edhe lirinë e praktikimit të fesë. Liria e fesë, që nuk kufizohet vetëm në lirinë e kultit – vijon mesazhi – është një nga aspektet themelore të lirisë së ndërgjegjes, që i përket çdo njeriu, si gur themeli i të gjitha të drejtave njerëzore. Pikërisht duke pasur parasysh këtë kërkesë, mund të ndërtohet kultura e paqes dhe e solidaritetit ndërmjet njerëzve dhe të gjithë mund të impenjohen me vendosmëri për të ngritur një shoqëri gjithnjë më vëllazërore, duke bërë gjithçka munden për t’iu kundërvënë, për të denoncuar e për të refuzuar çdo formë e çdo rast të përdorimit të dhunës, e cila nuk mund të ketë kurrë shkaqe fetare, sepse fyen fytyrën e Hyjit të pasqyruar tek njeriu. E dimë të gjithë – vijon kardinali Toran - se dhuna, e në radhë të parë terrorizmi që godet verbërisht e shkakton viktima të panumërta të pafajshme, është i paaftë t’i zgjidhë konfliktet dhe nuk mund të bëjë tjetër, veçse të vërë në lëvizje ingranazhin vdekjeprurës të urrejtjes shkatrrimtare në dëm të njeriut e të shoqërisë. Na takon të gjithëve, si njerëz të fesë - vijon të theksojë kardinali – të jemi, mbi të gjitha, edukatorë të paqes, të të drejtave të njeriut e të lirisë që respekton çdo njeri’. E ky theksim tingëllon si ftesë dashamire për thellimin e dialogut ndërmjet të krishterëve dhe botës islamike, me qëllim që breznitë e ardhshme të mos formojnë blloqe kulturore ose fetare njëri kundër tjetrit, por të jenë vëllezër e motra të vërteta, në humanitet. Dialogu – përfundon mesazhi – është mjet që mund të ndihmojë për të dalë nga spiralja e pafundme e konflikteve dhe e tensioneve që trondisin shoqëritë tona, duke krijuar kushte që të gjithë popujt të jetojnë në qetësi e në paqe.







All the contents on this site are copyrighted ©.