2007-09-28 16:50:50

Benedikti XVI përshëndetet me bashkësitë e Kastel Gandolfos. Më 3 tetor do të kthehet në Vatikan.


(28.09.2007 RV)RealAudioMP3 Benedikti XVI u takua sot me bashkësitë e ndryshme të Kastel Gandolfos për t’i përshëndetur para rikthimit në Vatikan, të mërkurën e ardhshme, më 3 tetor, kur do të mbajë edhe audiencën e përgjithshme.
Papa arriti në selinë e tij verore të Kastel Gandolfos mbrëmjen e 27 korrikut të kaluar, pasi përfundoi pushimet verore në Lorencago të Kadores, në bjeshkët e Dolomiteve. Ati i Shenjtë u shprehu mirënjohjen e tij të gjithë atyre që e ndihmuan, në mënyra të ndryshme, të çlodhet e të rifitojë energjitë për vijimin e veprimtarisë së tij aq të rëndësishme në drejtimin e Kishës universale. Në mënyrë të posaçme falënderoi ipeshkvin e Albanos, imzot Marçelo Semeraron, mbarë dioqezën si dhe bashkësitë e ndryshme rregulltare që jetojnë e punojnë në qytezën laciale:
Secilit nga ju dëshiroj t’i them: Papa shpreson shumë në mbështetjen tuaj shpirtërore dhe ju shoqëron me lutje, që të mund t’i përgjigjeni gjithnjë me bujari thirrjes në rrugën e përsosjes ungjillore, për t’i shërbyer Zotit e vëllezërve”.
Më pas Papa falënderoi edhe administratën komunale të Kastel Gandolfos:
“Të gjithë e njohin stilin e mikpritjes së përzemërt, që e dallon qytetin tuaj dhe banorët e tij, të cilët nuk mikpresin vetëm Papën, por edhe shtegtarët e panumërt që vijnë ta vizitojnë, në mënyrë të veçantë të dielave, për takimin e zakonshëm të Engjëllit të Tënzot”.
Mirënjohje nga ana e Papës edhe për personelin mjekësor, për specialistët e ndryshëm të Shërbimeve të Governatoratit, për funksionarët dhe përfaqësuesit e Forcave italiane të Rendit, për kujdesin me të cilin mbështetën Forcat e xhandarmërisë së Vatikanit dhe ato të Rojes Zvicerane Papnore. Në përfundim Papa ia besoi të gjithë mbrojtjes amtare të Zojës së Bekuar, ndërsa i bekoi ata e të gjithë të dashurit e tyre.







All the contents on this site are copyrighted ©.