2007-09-26 18:09:52

Mesazh i Papës për numrin 3000 të edicionit francez të “L’Osservatore Romano”.


(26.09.2007 RV)Një ngjarje e vulosur me falënderimin e Benediktit XVI i cili, në një mesazh drejtuar redaksisë së gazetës “L’Osservatore Romano”, “shpreh mirënjohjen për shërbimin e kryer nga gazeta, themeluar në vitin 1861, me qëllim që t’i bëjë të njohura mësimet dhe veprimtaritë e pasardhësit të Shën Pjetrit e të Selisë së Shenjtë”.
Papa u jep zemër të gjithë atyre që bashkëpunojnë me gazetën vatikanase ta vijojnë me guxim veprimtarinë e tyre ungjillëzuese.
“Veprimtari delikate dhe entuziazmuese” – siç nënvizoi sot drejtori i së përditshmes vatikanase në një notë, kushtuar numrit francez, më i vjetri i “L’Osservatore Romano” në një gjuhë të ndryshme nga ajo italiane, që doli për herë të parë më 16 dhjetor të vitit 1949, në prag të Vitit Shenjt 1950, duke i hapur kështu rrugën botimit në gjuhë e vende të tjera. Kështu, pas edicionit francez, më 1951 doli në dritë gazeta në gjuhën spanjolle, që sot ka arritur në numrin e 2000-të; pastaj, më 1968 – botimi portugez, i pasuar më 1969 nga ai anglez, më 1971 nga botimi gjerman e, së fundi, në vitin 1980, nga ai polak, pas zgjedhjes së Papës Vojtila në fronin e Shën Pjetrit. “L’Osservatore Romano” në gjuhën frënge lexohet në më se 137 vende të ndryshme, nga Liberia, në Kanada e në Jugun Afrikan. Po kush janë lexuesit? Janë meshtarë, murgesha, rregulltarë, anëtarë të lëvizjeve kishtare, por edhe shumë-shumë njerëz të tjerë, që i kanë për zemër çështjen e Kishës dhe mësimet e Papës. E lexojnë edhe politikanët, diplomatët e, natyrisht, gazetarët.







All the contents on this site are copyrighted ©.