2007-09-26 18:09:06

Benedikti XVI në audiencën e përgjithshme, kushtuar Shën Gjon Krizostomit, foli për “Qytetin me shpirt e me fytyrë të krishterë, solidar me të varfërit”.


(26.09.2007 RV)RealAudioMP3 “Me Shën Gjon Krizostomin nis vizioni i qytetit të ndërtuar nga ndërgjegjja e krishterë, në të cilin njeriu, edhe ai më i varfëri, ka vendin e vet e dinjitetin e vet”. Është ky një prej mendimeve të shprehura nga Ati i Shenjtë në audiencën e përgjithshme të së mërkurës, mbajtur në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan. Sot, duke ia kushtuar për herë të dytë katekizmin figurës së Shën Gjon Gojartit, Papa vuri theksin mbi vlerën aktuale të mësimeve të tij, që e bënë Shenjtin një nga pararendësit e Doktrinës shoqërore të Kishës.
Njeri tepër i thjeshtë, në mes të salltanetit të oborrit perandorak bizantin. I mahnitur nga modeli i bashkësisë së parë të krishterë, të bashkuar nga ndjenjat e vëllazërisë së vërtetë, që nuk i vlerësonte njerëzit sipas pozitës shoqërore, por sipas fesë. Kështu ia paraqiti Papa 20 mijë besimtarëve, mbledhur sot në Sheshin e Shën Pjetrit, figurën e një shenjti revolucionar, që jetoi 1600 vjet më parë, aktual edhe për ditët e sotme. Njeri me zemër të mirë, të ëmbël e atërore me të gjithë, nuk mundi të krijonte një strehë të sigurtë, për t’u mbrojtur nga kundërshtimet, persekutimet dhe internimet. U internua dy herë e ndërroi jetë pikërisht gjatë internimit të dytë, në vitin 407. Në sa jetonte në Kostandinopojën e pallateve perandorake, ndërmjet intrigave të oborrit, Krizostomi – shpjegoi Papa – nuk u fsheh pas njerëzve të kamur, por zgjodhi thjeshtësinë, duke nisur nga pallati arqipeshkvnor – e jashtë tij, zgjodhi të varfërit e familjet, që qenë gjithnjë në qëndër të vëmendjes së veprimtarisë së tij baritore. U frymëzua përherë nga modeli i Kishës së të krishterëve të parë, prej nga i lindi vizioni i ‘qytetit ideal’:
Krizostomi, ashtu si Shën Pali, mbronte përparësinë e të krishterit, parë si individ, si njeri i veçantë, edhe të skllavit e të të varfërit. Projekti i tij korrigjon kështu vizionin grek të ‘polisit’, të qytetit, në të cilin masat e gjëra të popullsisë përjashtoheshin nga e drejta e qytetarisë, ndërsa në qytetin e krishterë të gjithë janë vëllezër e motra, me të drejta të barabarta”.
Shën Gjon Gojarti – vijoi Papa – e kishte kuptuar se ideja e vjetër e polisit grek duhej zevendësuar me atë të qytetit të frymëzuar nga feja, për të cilin flet Ungjilli. Ja sepse me të – shpjegoi Benedikti XVI – filloi vizioni i një qyteti të ndërtuar nga ndërgjegjja e krishterë, që i bën të gjithë të barabartë, i bën vëllezër e motra e i edukon me frymën e solidaritetit.
“I duhej dhënë një shpirt e një fytyrë e krishterë qytetit. Me fjalë të tjera, Krizostomi e kuptoi se nuk mjaftonte dhënia e lëmoshës, as ndihma e herë pas hershme e të varfërve, por ishte e nevojshme të krijohej një strukturë e re, një model i ri i shoqërisë; një model i bazuar mbi perspektivën e Besëlidhjes së Re. Është shoqëria e re që nis të shfaqet në Kishën e posalindur”.I famshëm për gojtarinë e tij, edhe në Romën e re, dmth në Kostandinopojë, Krizostomi u bë i njohur nga të gjithë si mësues i fesë e dëshmitar i dashurisë së krishterë – tha Papa dhe në vijim theksoi katër karakteristika kryesore të kësaj figure madhore të Kishës: së pari, nënvizoi ndjeshmërinë e Shenjtit antiokian ndaj Krijimit, parë si akti më i lartë i dashurisë së Zotit; së dyti, vëmendjen që i kushtoi shpjegimit të Shkrimit Shenjt i cili, sipas Atit të Kishës, krijon mundësinë për ta deshifruar vetë Krijimin. Së katërti, Papa vuri në dukje veprimin e Shpirtit Shenjt në zemrën e njeriut, por duhet theksuar – vijoi Shenjtëria e Tij - se është karakteristika e tretë ajo që zbulon gjithë humanizmin dhe fenë e ipeshkvit të lashtë të Kostandinopojës, bindjen e patundur se:
“Hyji… zbret vetë, mishërohet, bëhet vërtetë ‘Hyji me ne’, vëllau ynë deri në vdekje në Kryq”.







All the contents on this site are copyrighted ©.