2007-09-25 18:10:53

Fjalët e Benediktit XVI mbi logjikën e fitimit dhe të shpërndarjes së drejtë të të mirave materiale: reflektim i atit jezuit Xhankarlo Gola dhe i pedagogut Leonardo Beketi.


(25.09.2007 RV)RealAudioMP3 Vijon të ndjehet fort jehona e fjalëve të Benediktit XVI, shqiptuar të dielën e kaluar në sheshin para katedrales së Veletrit, ku kishte shkuar për vizitë baritore. Të ndjekim një fragment:
“Logjika e fitimit, nëse mbizotëron, thellon shpërpjestimet ndërmjet të varfërve dhe të pasurve dhe shfrytëzimin shkatërrimtar të planetit. Ndërsa, kur mbizotëron logjika e ndarjes së drejtë të të mirave materiale dhe e solidaritetit, mund të ndërrohet udha e të orientohemi drejt zhvillimit të barabartë, për të mirën e përbashkët të të gjithëve. Në fund të fundit, duhet të zgjedhim ndërmjet egoizmit e dashurisë, ndërmjet drejtësisë e pandershmërisë e, si përfundim, ndërmjet Zotit e Djallit”.
Si ta interpretojmë ftesën e Atit të Shenjtë për zotërimin e logjikës të ndarjes së drejtë të të mirave materiale mbi atë të fitimit? Ia drejtuam këtë pyetje atë Xhankarlo Golës, jezuit, profesor i lëndës biblike në Institutin e lartë të shkencave fetare të dioqezës së Torinos:
Përgjigje: - Ka shumë rëndësi ta kuptosh mirë vështrimin e fjalës ‘mbizotëron’, që nuk ka thjeshtë kuptim sasior. Prandaj mund të themi se logjika e fitimit mund të ndiqet, por me kusht që në vështrimin sasior, të mbizotërojë logjika e ndarjes së drejtë të të mirave materiale. Gjithsesi, për mendimin tim, fjala duhet interpretuar në kuptim cilësor; prej këndej, në se kur përdorim fjalën ‘fitim’ kemi parasysh zhvillimin ekonomik, pasurinë, kjo ka kuptim vetëm në se përmes saj realizojmë solidaritetin, realizojmë ndarjen e drejtë e të ndershme të të mirave materiale. Por në se me këtë fjalë kuptojmë realizimin e vetvetes, atëherë mbizotërimi bëhet rrugë e vdekjes, të çon në adhurimin e idhullit ‘mamonë”, gjë që, me të drejtë, e ve në dukje edhe Papa.
Pyetje: - Sa është e pranishme në kulturën tonë katolike logjika e solidaritetit dhe e ndarjes së drejtë të të mirave materiale, për mbizotërimin e së cilës fton Ati i Shenjtë?
Përgjigje: - Besoj se në realitetin katolik e më gjërë, në kishat e krishtera, ky është realitet i gjallë. Por nuk ka dyshim se ekzistojnë edhe shumë kundërshtime e shumë interpretime të Ungjillit, që kanë për qëllim të mbrojnë qëndrime vetjake, privilegje vetjake.
Pyetje: - Ç’ vlerë ka koncepti i pasurisë në Besëlidhjen e Re?
Përgjigje: - Jezusi në Ungjillin sipas Lukës flet për kontrastin ndërmjet fjalëve ‘pak’ e ‘shumë’, për ‘mamonën e padrejtë’, që i kundërvihet së drejtës, për ‘gjënë që i përket tjetrit’ e për atë që është ‘juaja’. Por ç’do të thotë ‘pak’, ‘mamonë’ e ‘padrejtë’, ‘gjëja e tjetrit’? Janë pikërisht të mirat e kësaj bote, është pasuria. Ne duhet të kërkojmë ‘shumë’, duhet të kërkojmë ‘gjënë e vërtetë’, atë që është vërtetë jona, të kërkojmë atë që na bën bij e vëllezër, që na bën të denjë për ndërtimin e Mbretërisë së Hyjit: kjo është çështja! Mënyra për ta realizuar këtë, është ndarja e drejtë e të mirave materiale, është solidariteti”.

RealAudioMP3 Mbi vlerën e fjalëve të Benediktit XVI lidhur me aktualitetin shoqëror dhe ekonomik, intervistuam Leonardo Beketin, pedagog i ekonomisë politike pranë Universitetit të Tor Vergatës në Romë dhe drejtor i Bashkësisë së jetës së krishterë, me frymëzim injacjan:
Përgjigje: - Besoj se ka shumë rëndësi, sepse problemi i sotëm është i qartë: ka rrezik që fitimi të bëhet vlerë e të radhitet në krye të listës së vlerave. E, për fat të keq, kur aksionisti vë në krye të listës krijimin e vlerës, mund të lindin shumë konflikte, duke nisur nga konflikti ndërmjet aksionistëve e klientëve të një banke, për shembull. Mund të lindin edhe konflikte të tjera, si ai ndërmjet aksionistëve e punëtorëve: një ndërmarrje, për të rritur rendimentin e aksioneve, keqëson kushtet e punës dhe nis pushimet e nëpunësve. Prandaj duhet theksuar se të krijosh vlera ekonomike është themelore, por gjithçka duhet shkallëzuar drejtë, duke e radhitur çdo gjë në vendin që i takon.
Pyetje: - Lidhur me këtë, kujtojmë se Papa ka thënë që fitimi është i ligjshëm e, në masë të drejtë, edhe i nevojshëm për zhvillimin ekonomik. Cila është, sipas jush, masa e drejtë?
Përgjigje: - Është të pajtosh krijimin e vlerës ekonomike me atë të vlerës shoqërore. Duhet të ndërtojmë një botë në të cilën, krijimi i vlerave ekonomike nuk i kundërvihet ambientit, duke i shkaktuar dëme të rënda. E duhet theksuar se një ekonomi e tërë ecën në këtë drejtim! Mendoj për pionierët, mikrokreditet, bankat etike, drejtësinë shoqërore, por edhe për reagimin e sistemit të sipërmarrjeve tradicionale, për përgjegjësinë e tyre.







All the contents on this site are copyrighted ©.