2007-09-25 18:01:37

Finalistët e çmimit Sakarov 2007 e lajme të tjera


(25.09.2007 RV)Në Liban, parlamenti nuk arriti të votojë presidentin e ri të Republikës, pasardhësin e filosirianit Emil Lahud, mandati i të cilit, i zgjatur me dëshirën e Sirisë edhe për tre vjet të tjera, skadon më 23 nëntor. Opozita filosiriane bojkotoi punimet. Seanca e re parlamentare do të mbahet më 23 tetor, datë në të cilën shpresohet të gjendet një marrëveshje për kandidatin.

Tre finalistët e Çmimit Sakarov 2007 për lirinë e mendimit janë Salih Mahmud Osman, Ana Politkovskaja dhe çifti Zeng Xhinjan e Hu Xhia. Kështu vendosën eurodeputetët në Strasburg. Fituesi do të zgjidhet më 25 tetor, ndërsa ceremonia e dorëzimit të Çmimit do të bëhet më 11 dhjetor në Strasburg.
Salih Mahmud Osman, avokat sudanez për të drejtat e njeriut, punon me organizatën sudaneze kundër torturës dhe u jep asistencë ligjore viktimave të luftës e të abuzimeve në Sudan. Gazetarja ruse, Ana Politkovskaja, vrarë më 7 tetor 2006 në Moskë, është e njohur për qëndrimin e saj kundër luftës në Çeçeni dhe kundër presidentit Vladimir Putin.
Zeng Xhinjan dhe bashkëshorti i saj Hu Xhia janë mbrojtës të të drejtave njerëzore në Kinë. Përditë në blogun e saj në internet, zonja Zeng denoncon abuzimet e autoriteteve të Pekinit, ndërsa i shoqi është aktivist i luftës kundër Sidës dhe i mbrojtes së ambientit.







All the contents on this site are copyrighted ©.