2007-09-25 18:01:25

Bush shpall sanksione kundër regjimit të Mianmarit


(25.09.2007 RV)Vazhdon protesta e murgjërve budistë dhe e mijëra personave në Mianmar, ku xhunta ushtarake ka rreshtuar policët në sheshin e Jangonit. Komisioni Evropian është shprehur i shqetësuar për gjendjen dhe ka theksuar të drejtën e protestuesve për të manifestuar kundër regjimit.
Në fjalimin e tij në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, presidenti amerikan Xhorxh Bush shpalli sanksione kundër qeverisë së Jangonit dhe financuesve të saj. Ai kërkoi gjithashtu që Kombet e Bashkuara të mbështesin përpjekjet për arritjen e demokracisë në Mianmar.
Edhe pikat e tjera të fjalimit të presidentit amerikan u pritën me interes nga pjesëmarrësit. Bush u tregua i gatshëm për reformimin e OKB-së e për hyrjen e Japonisë dhe të fuqive të tjera në zhvillim, si anëtare të përhershme në Këshillin e Sigurimit. Përsa i përket Iranit, presidenti amerikan theksoi se vendi bën pjesë në listën e regjimeve brutale, që u mohojnë shtetasve të tyre të drejtat themelore. Presidenti i Iranit, Ahmadinexhad dhe shpura e tij ishin të pranishëm gjatë fjalimit, por nuk e duartrokitën. Duke iu referuar gjendjes së keqe shëndetësore të Fidel Kastros, Bush deklaroi edhe se populli kuban është gati për fundin e diktaturës. Me optimizëm për gjendjen në Lindjen e Mesme, ku i sheh palestinezët dhe izraelitët të ndarë paqësisht në dy shtete, Bush theksoi se çdo vend e ka për detyrë të ndihmojë edhe Irakun, Afganistanin dhe Libanin.







All the contents on this site are copyrighted ©.