2007-09-24 18:57:24

Papa ipeshkvijve të Ukrainës: “Bashkëpunimi vëllazëror ndërmjet barinjve, inkurajim e nxitje për besimtarët në thellimin e bashkimit” .


(24.09.2007 RV) RealAudioMP3 Sot paradite Benedikti XVI priti në audiencë ipeshkvijtë e ritit latin të Ukrainës, të cilët do të vijojnë deri të shtunën e ardhshme vizitën e tyre ‘ad Limina’. Papa përshëndeti edhe prelatët greko-katolikë, të pranishëm dhe u propozoi të organizojnë një takim të përvitshëm, për ta bërë gjithnjë më frytdhënëse veprimtarinë e tyre baritore.
E di me sa zell përpiqeni ta kumtoni e ta dëshmoni Ungjillin në tokën e dashur të Ukrainës – pohoi Ati i Shenjtë – duke kujtuar, në vijim, edhe vështirësitë jo të pakta që duhet të përballojnë barinjtë, me vetëdijen se Krishti i prin me dorë të sigurtë grigjës së vet.
Të gjithë barinjtë e Kishës që jetojnë në Ukrainë janë mbledhur simbolikisht rreth Pasardhësit të Shën Pjetrit - vijoi Benedikti XVI, duke theksuar se takimi i sotëm nxirrte në dritë bukurinë dhe pasurinë e misterit të Kishës. Pjesëmarrja e ipeshkvijve grekë-katolikë në këtë takim, së bashku me prelatët e ritit latin – kujtoi Papa – flet vetë për bashkimin kishtar dhe dëshmon atë dashuri vëllazërore që Jezusi ua la nxënësve të tij si shenjë dalluese . E më pas shtoi:
“Në larminë e riteve të saj e të traditave të saj historike, Kisha e vetme katolike kumton e dëshmon në të katër skajet e tokës të njëjtin Jezu Krisht, Fjalë e shëlbimit për çdo njeri”.
Prej këndej, mund të thuhet se besnikëria ndaj Krishtit është sekreti i suksesit të çdo plani baritor e apostolik:
Ne, barinjve, ashtu si të gjithë besimtarëve, na kërkohet të jetojmë një familjaritet të thellë e të vijueshëm me Të në lutje e në dëgjim të heshtur plot bindje të Fjalës së tij: kjo është e vetmja rrugë që duhet përshkuar për t’u bërë, në çdo mjedis, shenja të dashurisë së tij e mjete të paqes e të harmonisë së tij”.
Në se frymëzohemi nga Shpirti i tij – tha Papa – nuk është e vështirë ta thellojmë bashkëpunimin e përzemërt ndërmjet ipeshkvijve latinë e greko-katolikë, për të mirën e mbarë popullit të krishterë. Mundeni, kështu, t’i koordinoni veprimtaritë tuaja apostolike e baritore – shtoi Ati i Shenjtë – duke dhënë dëshminë tuaj në këtë bashkim kishtar që është njëkohësisht edhe kusht i domosdoshëm për dialogun ekumenik me vëllezërit ortodoksë e ata të kishave të tjera. Më pas Benedikti XVI propozoi të organizohet të paktën një takim vjetor, në të cilin të marrin pjesë si ipeshkvijtë e ritit latin, ashtu edhe ata të ritit greko-katolik, për ta bërë gjithnjë më të harmonishme veprimtarinë baritore:
Jam i bindur se bashkëpunimi vëllazëror ndërmjet barinjve të Kishës do të jetë për të gjithë besimtarët inkurajim e nxitje në thellimin e bashkimit e të entuziazmit apostolik si dhe favorizim në vijimin me sukses të dialogut ekumenik”.Kujtojmë se në Ukrainë më se 97% e bashkësive fetare janë të krishtera e pothuajse gjysma, ortodokse. Shkëputja e Ukrainës nga Bashkimi Sovjetik në vitin 1991, hapi fazën e ndarjes, si pasojë e së cilës në vend u krijuan tri Kisha të ndryshme ortodokse. Në Ukrainë janë të pranishme edhe bashkësi të krishtera protestante, hebraike e myslimane, ndërsa Kisha katolike ruan traditën e saj të dyfishtë. Gjatë regjimit stalinist, Kisha greko-katolike e ritit bizantin, me 3300 bashkësi të përhapura kryesisht në pjesën perëndimore të vendit, u ndalua dhe u detyrua të bashkohet me Kishën ortodokse ruse. Kisha e ritit latin, e cila gjatë viteve të sundimit të ish-Bashkimit Sovjetik ishte nën kontroll të rreptë shtetëror, pas vitit 1991 rifilloi përtritjen e thellë. Që nga ky vit – siç deklaroi në një intervistë të kohëve të fundit sekretari i Konferencës ipeshkvnore ukrainase të ritit latin, imzot Marian Buzhek – në qendër të vëmendjes së veprimtarisë baritore ka qenë edukimi i vetëdijes fetare, pa harruar asnjëherë përpjekjen për thellimin e dialogut të frytshëm ndërmjet të krishterëve ortodoksë e atyre katolikë. Të dyja Kishat, ajo e ritit bizantin e ajo e ritit latin, rifituan lirinë e plotë pas ngjarjeve të vitit 1989 dhe pavarësisë së Ukrainës.







All the contents on this site are copyrighted ©.