2007-09-24 19:29:14

Atentat në Prishtinë, ndërsa përgatiten bisedimet e 28 shtatorit me serbët në Nju Jork


(24.09.2007 RV)RealAudioMP3 Tre persona kanë humbur jetën dhe 10 janë plagosur nga një shpërthim i fuqishëm në Prishtinë në orët e hershme të mëngjesit të sotëm. Shpërthimi ka ndodhur rreth orës 2.10 në një qendër të vogël tregtare. Dy vetë gjetën vdekjen në vendin e shpërthimit ndërsa i treti vdiq në spital nga plagët e rënda.
“Një akt i papranueshëm, që mbjell frikë tek qytetarët dhe kërcënon stabilitetin e vendit”. Kështu komentoi sot presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu. Reagime edhe nga Komisioni Evropian. Kristina Nagi, zëdhënësja e komisarit për zgjerimin, Olli Rehn shprehu keqardhjen për të vdekurit e të plagosurit, por edhe bindjen se hetimet do t’i çojnë përgjegjësit para drejtësisë. Qeveria e Prishtinës e ka dënuar ashpër aktin, por mendon se atentati nuk ka të bëjë me negociatat aktuale për statusin e Kosovës. Pavarësisht nga vënia në dukje se kjo ngjarje kontribuon negativisht në imazhin e Kosovës, të gjitha partitë politike kanë theksuar se ajo mbetet thjesht një akt kriminal.
Për momentin, hetimet çojnë në pistën e hakmarrjes për vrasjen e një polici në muajin gusht. Synimi i atentatit duhet të jetë vrasja e mafiozit Enver Zeqiraga, pronar i qendrës tregtare Besa, ku u vendos bomba. Zeqiraga, ndër të dyshuarit për vrasjen e policit, është zhdukur nga qarkullimi që prej disa javësh.
Ndërkaq, Ekipi i Unitetit përgatitet për takimin e parë mbi negociatat, ballë për ballë me serbët, më 28 shtator në Nju Jork. Të dëgjojmë hollësirat nga Rabije Ibraj në Prishtinë…







All the contents on this site are copyrighted ©.