Benedikti XVI ipeshkvijve të rinj: të jeni njerëz të lutjes
(22.09.2007 RV)Papa Benedikti XVI
takoi sot në Kastel Gandolfo ipeshkvijtë e rinj të emëruar kohët e fundit, me në krye
prefektin e Kongregatës për Ipeshkvijtë, kardinalin Xhovani Batista Re. Sot për
sot, u tha atyre Ati i Shenjtë, aspektet organizative dhe administrative i kërkojnë
shumë kohë ipeshkvit, por “vendi i parë në jetën e një pasardhësi të Apostujve duhet
t’i rezervohet Zotit”. Të jeni pra, njerëz të lutjes, i këshilloi Papa Racinger ipeshkvijtë,
që javës së kaluar u mblodhën në Romë për të studiuar aspektet e ndryshme pastorale
dhe administrative të shërbimit të tyre. “Në lutjen intime e personale, ipeshkvit,
ashtu si të gjithë besimtarëve e edhe më shumë se atyre, i kërkohet të rritet shpirtërisht
si bir i Zotit, duke mësuar nga vetë Jezusi besimin, mirëbesimin e besnikërinë, të
cilat duhet të jenë sjelljet e tij në marrëdhëniet me Atin Qiellor”. Benedikti
XVI u kërkoi ipeshkvijve të rinj të luten shumë për meshtarët e të jenë gjithnjë gati
t’i dëgjojnë, t’i mbështesin e t’i inkurajojnë ata. Ipeshkvit gjithashtu, i takon
të nxitë lutjen në shoqërinë ku jeton, duke krijuar për bashkësinë vende e raste lutjesh
e takimi me Zotin.