2007-09-22 16:23:18

Aktiviteti javor i Papës Benedikti XVI


(23.09.2007 RV)Papa Benedikti XVI ia kushtoi katekizmin e audiencës së përgjithshme mbajtur të mërkurën paradite, në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan, shën Gjon Gojartit, i cili jetoi në shekullin e katërt pas Krishtit dhe qe njëri prej predikatarëve më të mëdhenj të Kishës së lashtë. Sivjet përkujtohet 1600 vjetori i vdekjes së tij.
Mosha e fëmijërisë është ajo në të cilën mund të jepen “udhëzimet e mëdha e orientimet e drejta për jetën”. Martesa, kur mund të mbështetet mbi çiftin e formuar mirë me vlera të krishtëra, ia ndalon rrugën divorcit. E jeta shoqërore mund të jetë po aq pozitive nëse bazohet mbi parimin e “mos interesimit vetem për veten tonë”. Mësimet e lashta të para 1600 vjetëve të Shën Gjon Gojartit jehuan sërish të mërkurën në Sheshin e Shën Pjetrit, në fjalët e Benediktit të XVI të cilat ua propozoi mijëra e mijëra personave të pranishëm, që gjithnjë mbushin sheshin.


Të premten, Papa Benedikti XVI priti në audiencë në Kastel Gandolfo, krerët e Internacionales Demokratike të Qendrës dhe Demokratike të Krishterë, ndërmjet të cilëve edhe kryeministrin e Shqipërisë, Sali Berisha dhe kryetaren e parlamentit, Jozefina Topalli.
Të krishterët të jenë “kripa” e veprimtarisë politike në të gjithë botën, me vlerat dhe idealet e tyre në mbrojtje të jetës e të familjes dhe më gjerë, në mbrojtje të të drejtave themelore të çdo njeriu. Kështu u tha atyre Ati i Shenjtë, i cili i nxiti edhe për një luftë pa kompromis kundër terrorizmit dhe fondamentalizmit fetar që ai ushqen, duke përdorur si armë solidaritetin dhe lirinë e kultit.







All the contents on this site are copyrighted ©.