20 shtator 1685 botohet "Ceta e profeteve" e izmot Pjeter Bogdanit.
(20.9.2007. RV)Duke shfletuar kalendarin
historik, sot më 20 shtator përkujtojmë botimin e veprës së imzot Pjetër Bogdanit
“Ceta e profetëve” më datën 20 shtator të vitit 1685 në qytetin e Padovës në Itali,
si dhe u rishtyp në vitin 1691 dhe 1702 në Venedik. Kjo vepër e ipeshkvit shqiptar
imzot Pjetër Bogdanit cilësohet si libri i parë i prozës origjinlae shqipe dhe mbetet
një nga monumentet e gjuhës, kulturës dhe letrave shqipe. Vepra 'Ceta e profetëve'
është vepër me përmbajtje teologjike. Kujtojmë se imzot Pjetër BOGDANI lindi më 1625
e ndërroi jetë më 1689. Konsiderohet si njëri ndër shkrimtarët më të shquar të letërsisë
së vjetër shqiptare.Më tepër Nga Wikipedia, Enciklopedia e Lirë Pjetër Bogdani
(rreth 1625 në Has - 1689 në Prishtinë) - prift, ipeshkëv, kryeipeshkëv, teolog dhe
filozof shqiptar nga Hasi (Krahinë e lashtë), që shtrihet në Shqipëri dhe Kosovë. Lindi
në Gur të Hasit afër Prizrenit. Mësimet e para i bëri në Ciprovac, Bullagri. Në vitin
1674 ishte nxënës i kolegjit ilirik të Loretos, po këtë vit bën një kërkesë për studimin
e medicinës dhe për lëshuarjen e Kolegjit. Më 1651 ushtron detyrën e meshtarit në
Pult e në fshatrat e Prizrenit, në anët e vendlindjes[1]. Në vitin 1656
thirret në Romë për të vazhduar studimet e larta në Kolegjin e Propagandës. Aty i
mëson gjuhët e Lindjes. Më 1658 kreu studimet e larta të teologjisë e filozofisë në
Romë dhe mori titullin doktor. Menjëherë emërtohet ipeshkv i Shkodrës dhe administrator
i Tivarit. 1663–1664: Njihet dhe i bën shërbime Kardinal Barbarigos, i cili në atë
kohë gjendej në Romë. Më 1675 e shkruan librin Çeta e profetëve dhe ia paraqet Propagandës
për botim. Rekomandimi i Propagandës ishte të përkthejë librin. Fillon përkthimin
e librit. Në vitin 1677 emërtohet arqipeshkv i Shkupit në vend të të ungjit, Ndre
Bogdanit. Lufta turko–austriake fillon më 1683. Në dhjetor të atij viti vdes Ndre
Bogdani. Bogdani arratiset në male me ç'rast e humb librin e Gramatikës latinisht–shqip
të punuar nga Ndreu. Strehohet në Ciprovac dhe në Dubrovnik. Në pjesën e parë të vitit
1685 shkon në Venedik e në Padovë. E merr me vete librin e përgatitur për botim. Libri
Cuneus Prophetarum botohet në fund të vitit në Padovë te Barbarigo. Shkruan Relacionin
e njohur nga Shkupi: Dello stato spirituale e temporale del regno di Albania e Servia.
1687–1688: Merret aktivisht me organizimin e rezistencës antiturke dhe u bën vizita
të gjitha vendeve të arqipeshkvisë së vet. Në vitin 1689 depërton ushtria austriake.
Në nëntor kjo ushtri arrin në Prishtinë. Bogdani të niset me ushtrinë për Prizren,
ku i inkuadron edhe 6.000 shqiptarë dhe bashkë me ta arrin atje. Atje sëmuhet nga
murtaja. Kthehet në Prishtinë për shërim te mjekët gjermanë, po më kot. Vdes në fillim
të dhjetorit 1689 në Prishtinë ku edhe varroset. Siç njoftonte nipi i tij Gjon Bogdani,
menjëherë pas thyerjes së ushtrisë austriake ato ditë, tatarët dhe turqit e nxjerrin
nga varri trupin e tij. Vepra e ipeshkvit Pjetër Bogdani "Çeta e profetëve" (Cuneus
prophetarum) u botua më 1685 në Padovë, u rishtyp më 1691 dhe 1702 në Venedik me titull
të ndryshëm. Libri “Cuneus Prophetarum”, apo sipas përkthimit të Justin Rrotës “Çeta
e profetëve”, është një nga veprat më të rëndësishme të trashëgimisë sonë të vjetër
letrare. Fakti që është e para vepër origjinale në gjuhën shqipe, në krahasim me veprat
e autorëve paraardhës që ishin kryesisht përkthime, e bën tepër të rëndësishëm këtë
libër. Karakteri origjinal i veprës duhet marrë në mënyrë relative për karakterin
fetar që kishte, por duhet thënë që nuk është mbështetur në ndonjë autor të caktuar
në formë përkthimi. Tematika e larmishme i shton rëndësinë veprës. Aty gjejmë që nga
tematika fetare, historiografike, të shkencave të natyrës, por edhe letërsi artistike,
poezi. Kjo larmishmëri temash çon edhe në larmishmëri stilesh, që është një tregues
i shkallës së lartë të përpunimit të gjuhës për atë kohë. Dhe padyshim ky është një
gur i rëndësishëm në themelin e gjuhës së sotshme shqipe. Autori ka gjetur mundësi
të shtjerë elemente të jetës shqiptare të kohës e të historisë së popullit tonë, si
është rasti i qëndresës burrërore të kelmendasve kundër ekspeditës turke më 1639.
Mendimet e njohuritë e Pjetër Bogdanit shpalosen më shkoqur në parathënien e librit
dhe në relacionet e shumta, që hartoi pas vizitave në viset e ipeshkvive që drejtoi.
Shkroi me dashuri të madhe për gjuhën shqipe, për Shqipërinë e për popullin shqiptar,
shprehu dhembje për gjendjen e mjeruar e padijen në të cilat i kishte hedhur robëria
bashkatdhetarët e tij dhe urrejtje të thellë për pushtuesin osman. Pjetër Bogdani
kërkonte që t'i jepeshin popullit libra në gjuhën amtare, punoi për mëkëmbjen e zhvillimin
e kulturës kombëtare dhe çlirimin e vendit. Vepra ka në krye një seri kushtimesh
e poezish shqip, latinisht, italisht, sllavisht, shkruar për nder të Pjetër Bogdani
nga miq e të njohur të tij. Dy vjershat shqipe të L. Bogdanit e të L. Sumës dhe ato
të vetë autorit të shpërndara në kapituj të ndryshëm të librit, me teknikën poetike
përgjithësisht të sigurt janë tregues të lëvrimit të mbarë të vjershërimit shqip në
këtë kohë. Pjetër Bogdani krijoi me vetëdije të plotë për ta pasuruar e përpunuar
gjuhën shqipe, gjurmoi dhe vuri në qarkullim fjalë e shprehje të vjetra të lëna në
harresë, krijoi edhe fjalë të reja, duke bërë përpjekjet e para për krijimin e termave
në ndonjë degë të shkencës. Ligjërimi i tij dallohet mjaft herë edhe për zhdërvjelltësi
e ndërtime sintaksore të një arkitektonie të sigurt. Me veprat e Pjetër Bogdani letërsia
dhe gjuha letrare shqipe shënuan hapa të rëndësishëm përpara. Për veprën e Pjetër
Bogdanit kanë shkruar studiues e shkritarë të njohur shqiptarë e të huaj si Gaetano
Petrotta, Eqrem Çabej, Faik Konica, Filip Fishta, Alberto Straticò, Mario Roques,
Justin Rrota, Matteo Sciambra, Injac Zamputi, Idriz Ajeti, Ibrahim Rugova, Sabri Hamiti
etj. Në vitin 1982, studiuesi e kritiku i njohur dr. Ibrahim Rugova botoi te Rililindja
e Prishtinës librin Vepra e Bogdanit 1675–1685, që konsiderohet një nga studimet më
të mira të veprës së Pjetër Bogdanit. Për sa i përket alfabetit, në përgjithësi
Bogdani ka përdorur alfabetin latin, por meqë shqipja ka disa tinguj që nuk gjenden
në këtë alfabet, Bogdani ka përdorur disa shenja të veçanta. Këto shenja i kanë përdorur
edhe autorë të tjerë paraardhës të tij. P.sh për grafikën e Y-së e ka marrë nga një
shenjë e glagolitishtes, një shkrimi të vjetër sllav - boshnjak, ndërsa fonema të
tjera të shqipes Bogdani i mori nga greqishtja.
Çeta e profetëve
(Cuneus prophetarum)
Burim i të dhënave ^ Gjuha Shqipe - Për
të huaj dhe shqiptarët jashtë atdheut nga Gjovalin Shkurtaj dhe Enver Hysa, botues
Toena, Tiranë 2001 ISBN 99927-1-454-9
Ibrahim Rugova, Vepra e
Bogdanit 1675-1685, Rilindja, Prishtinë, 1982