2007-09-19 16:16:05

Më 19 shtator Kalendari Kishtar përkujton Shën Gjenarin, ipeshkëv.


(19.9.2007 RV)Gjenari, ipeshkëv i Beneventit, u martirizua në Pocuoli pranë Napolit, qytet ku nderohet në mënyrë të veçantë e ku ruhen reliket e tij, të njohura sidomos për shkrirjen e gjakut. Shtatë janë “aktet” që flasin për martirizmin e Gjenarit. Ndër to, vendin e parë e zënë “Aktet bolonjeze” dhe “Aktet vatikanase”. Nga këto dokumente mësojmë se Gjenari mund të ketë lindur në Napoli aty nga gjysma e shekullit III e se qe ipeshkëv i Beneventit, ku zhvilloi apostullimin e tij, i dashur dhe i nderuar nga e gjithë bashkësia e krishterë, madje edhe nga paganët, për shkak të kulturës së tij të thellë e të gjithanëshme si dhe për bamirësinë, pa kurrfarë dallimi. Ishte periudha e parë e perandorisë së Dioklecianit (243-313), kur nuk kishte nisur ende martirizimi e prandaj të krishterët gëzonin lirinë e kultit.
Por kur ipeshkvi bamirës u plak, shpërtheu persekutimi. Burgjet nisën të mbusheshin me të krishterë, që shumë shpejt u dukën edhe në arenat e cirqeve. Ipeshkvi u kap në sa vizitonte e u jepte zemër besimtarëve të tij ndër pranga, në prag të martirizimit. Deshën të organizonin me të një shfaqje cirku, duke e vënë përballë arinjve të uritur. Por duke pasur frikë nga revolta e mundshme e popullit, që e nderonte, ndërruan mendim dhe vendosën t’i presin kokën. Një grua me emrin Euzebia, siç ishte zakon në këto kohë të errëta për të krishterët, ia doli mbanesh ta mblidhte një pjesë të gjakut të ipeshkvit martir në dy lotore e ta ruante me nderim të madh. Është ky gjak që çdo vit, në të kremten e Shenjtit, shkrihet, duke i prekur thellë ndjenjat fetare të besimtarëve napolenatë e, në përgjithësi të të gjithë besimtarëve, që shikojnë në këtë shkrirje, një mrekulli të përvitshme të Shën Gjenarit







All the contents on this site are copyrighted ©.