Imzot Tomazi: të mbrohet liria fetare para rritjes së intolerancës në botë.
(19.09.2007 RV)Rritet intoleranca fetare në botë. Ky është alarmi që jep kryeipeshkvi
Silvano Maria Tomazi, vëzhgues i përhershëm i Selisë së Shenjtë pranë zyrës së OKB-së
në Gjenevë, në fjalën e mbajtur në Sesionin VI të Këshillit për të Drejtat e Njeriut,
i cili po zhvillon punimet në qytetin zviceran. Por ta dëgjojmë vetë kryeipeshkvin
në mikrofonin tonë: Në këtë moment, në të cilin ekzistojnë debate dhe diskutime
të shumta, nganjëherë edhe tensione shumë të forta ndërmjet grupeve fetare ose atyre
që perceptohen si të tilla, m’u duk e rëndësishme ta them edhe unë një fjalë mbi ekuilibrin
ndërmjet lirisë fetare e respektimit të fesë nga njëra anë, e nga ana tjetër se drejtës
për lirinë e shprehjes në shoqërinë demokratike. Prandaj, thelbi i këtij fjalimi ishte
t’u bënte njerëzve të kuptonin se në bazë të Deklaratës Universale mbi të Drejtat
e Njeriut, nënshkruar në vitin 1948, tekst-kyç për mbështetjen e të drejtave të njeriut
në botën e sotme, feja apo liria fetare mund të shërbejë me të vërtetë si urë ndërmjet
të drejtave të ndryshme: ndërmjet të drejtave civile, shoqërore, të drejtave ekonomike
e kulturore. Prandaj feja duhet parë jo si faktor që e kufizon lirinë apo krijon vështirësi
e tensione ndërmjet grupeve, por siç është në të vërtetë në shprehjen e saj më të
shëndoshë e më realiste, një sintezë të drejtash e një mbështetje e sigurtë për dinjitetin
e njeriut në këtë moment. A ka rreziqe të reja për lirinë fetare sot? Në
Sesionin VI të Këshillit për të Drejtat e Njeriut doli në pah qartë se intoleranca
fetare po rritet në botë. Specialistët e fushës vunë në dukje se ekziston një rritje
e intoleracës, e paaftësisë për të jetuar sëbashku. Prandaj, problemi që shtrohet,
sfida që duhet të përballojë bota gjithnjë e më pluraliste është si të gjejmë rrugën
për të jetuar sëbashku në paqe, në mënyrë konstruktive? Ç’rol luajnë fetë e si mund
të jenë faktor dialogu e bashkëjetese paqësore? Ky është problemi që po shqetëson
jo vetëm anëtarët e Këshillit për të Drejtat e Njeriut, por krejt shoqërinë, në këtë
moment. Rriten edhe shpifjet kundër fesë… Po, por duhet të jemi të kujdesshëm
– siç nënvizova – sepse nuk mund ta reduktojmë diskutimin mbi fenë vetëm me problemin
e intolerancës apo të shpifjes. Në këtë mënyrë ne rrezikojmë ta vendosim kuadrin e
përgjithshëm të së drejtës themelore për lirinë fetare vetëm në një kontekst diskriminimi.
Kështu ne humbasim me të vërtetë diçka themelore. Natyrisht, nuk duhet të pranojmë
që të ofendohen ndjenjat e thella të personave që shprehen nëpërmjet feve e besimeve
të ndryshme, por njëkohësisht duhet edhe të garantojmë aspektin pozitiv të së drejtës
për lirinë fetare. Duhet pra, që kjo e drejtë themelore të respektohet në shoqëri
për të parandaluar shpifjen e ofendimin apo karikaturizimin, të cilat u krijojnë probleme
grupeve të ndryshme mazhoritare apo minoritare në vende të ndryshme.