2007-09-18 17:33:03

Kard.Tauran:dialogu ndërfetar është instrument i rëndësishëm për të gjithë.


(18.09.2007 RV)Me 1 shtator kardinali Jean-Louis Tauran mori kryesinë e Këshillit Papnor për dialogun ndërfetar, post në të cilin Ati i Shenjtë e kishte emëruar që me 25 qershor. Siç dihet vitin që shkoi kryesia e këtij institucioni kaq të rëndësishëm i ishte besuar kardinalit Paul Poupard, që deri para pak ditësh eshte edhe kryetar edhe i Këshillit Papnor për kulturën, vend të cilin tani e mbulon Mons. Gianfranco Ravasi.
Po ne sot do të ndalemi tek domethënia e emërimit të kard. Tauran në këtë vend kaq të rëndësishëm e mbi këte e pyetëm pikërisht protagonistin, kardinalin Tauran i cili e shpjegon kështu vlerën e këtij emërimi:RealAudioMP3
Përgjigje: Mendoj se është shenjë e rëndësisë së madhe që Ati i Shenjtë i kushton dialogut ndërmjet feve, e në mënyrë të veçantë me islamin. Ati i Shenjti dëshironte që ky Këshill të rifitonte pavarësinë e tij, në mënyrë që të bëhet një mjet më frytdhënës në shërbim të këtij dialogu ndërmjet feve.


Pyetje: A mund të thuhet se kriza e Ratisbonës ka ndikuar në këtë vendim të Papës?


Përgjigje: Po, mendoj se ka patur një ndikim vendimtar, edhe sepse falë reagimeve Papa mundi ta sqarojë mendimin e tij. Duke lexuar fjalimet që Papa ka mbajtur para ambasadorëve të vendeve arabe, por edhe atyre të ardhur nga Azia për të paraqitur letrat e tyre kredenciale, vërehet shumë qartë një fill i kuq i këtij mendimi të Papës. Ati i Shenjtë është i mendimit se dialogu ndërfetar është faktor paqeje dhe se fetë janë në shërbim të paqes.


Pyetje: Hirësi, ju jeni diplomat dhe keni shkuar në misione delikate në zona të nxehta të botës: çfarë kuptimi ka dhënia e kësaj detyre juve?


Përgjigje: Mendoj se, edhe me sa më tha Ati i Shenjtë, në fakt përvoja që kam me problemet e Lindjes së Mesme dhe njohuritë mbi botën arabe, më japin mundësi që edhe unë të vë një gur të vogël në ndërtimin e këtij dialogu ndërmjet besimeve fetare.


Pyetje: Është shumë shpejt për të përcaktuar përparësitë e muajve në vazhdim, por a mund të na tregoni cila është gjendja e juaj shpirtërore në fillim të këtij mandati?


Përgjigje: Para së gjithash do të përpiqem t’i dëgjoj bashkëpunëtorët e mi, të cilët do të më vënë në dijeni për dosjet e ndryshme që gjenden mbi tavolinën time, por hëpërhë, duke menduar për të ardhmen, do të doja t’i jepja përparësi një punë të përbashkët ndërmjet Këshillit Papnor, seksionit të dytë të sekretarisë së shtetit, kongregatës për Kishat Lindore, Kongregatës për ungjillëzimin e popujve dhe Këshillit Papnor të studimeve arabe, në mënyrë që të gjithë ta kemi të qartë problematikën e këtij dialogu ndërmjet feve.


Pyetje: Për ta mbyllur, a mund të themi se dialogu ndërfetar sot për sot është i domosdoshëm edhe përsa i përket situatës në Lindje të Mesme...


Përgjigje: Sigurisht. Në fakt, kujtoj se Papa kohët e fundit në Bolonjë, tha se dialogu me myslimanët, për shembull, nuk është një gjë kalimtare por i përket veprimit të Kishës, sepse Kisha është në vetvete dialog, pasi Krishti është Fjala e Zotit dhe prandaj edhe Kisha në vetvete është fjalë, kuvendim dhe dialog.







All the contents on this site are copyrighted ©.