2007-09-17 18:33:37

Ipeshkvijtë e Beninit tek Papa në vizitë ad Limina


(17.09.2007 RV)Filluan sot audiencat e Papës me ipeshkvijtë e Beninit, të cilët gjenden në Vatikan për vizitën e tyre Ad Limina Apostolorum, e cila bëhet çdo pesë vjet. Ndër ipeshkvijtë e parë që Benedikti XVI priti sot në takim në Kastelgandolfo është edhe imzot Antuan Ganjé, ipeshkëv i Dassa-Zoumès e president i Konferencës Ipeshkvnore të Beninit.
Clirimi i politikës nga korrupsioni tejet i përhapur në vend është ndër sfidat kryesore shoqërore për Kishën e Beninit, tha ipeshkvi Ganjé në një intervistë dhënë Radio Vatikanit. Sfida tjetër është kundërshtimi i përhapjes së sekteve fetare në rritje, siç dëshmojnë shifrat. Vetëm në shtetin e varfër afrikan të Beninit sektet janë të pranishme me 650 bashkësi të ndryshme.
Kujtojmë se Benini sot po kalon një krizë të thellë ekonomike, shkaktuar edhe nga procesi i globalizimit e nga rënia e tregtisë rajonale, që ka anulluar një pjesë të mirë të të ardhurave, deri në 5 % në këto vitet e fundit. Benini përbëhet prej rreth 40 grupesh etnike të ndryshme. 65 % e popullsisë i përket fesë tradicionale animiste, 10 % janë myslimanë e 23% katolikë, që ndahen në 10 dioqeza.
Ndër prioritetet baritore të Kishës në Benin është pjesëmarrja më e madhe e laikëve, sidomos për formimin e familjeve të vërteta kristiane, që të bëhen të afta për t’i nderuar e mbajtur vlerat sakramentale të martesës, në opozitë me poligaminë, që është trashëguar nga tradita e lashtë, ende e rrënjosur në shoqërinë afrikane.
Pastaj promovimi i thirrjeve meshtarake e regulltare, formimi i të rinjve si dhe dialogu ndërfetar, në një kontekst ku të krishterët janë pakicë. Në Benin Kisha katolike është e varfër dhe me pak infrastruktura, synon në mënyrë të veçantë zhvillimin e mediave për ungjillëzim, posaçërisht përmes Radios, duke pasur parasysh se 69 % e popullsisë është analfabete.







All the contents on this site are copyrighted ©.