Erë lufte mbi Iran në hapjen e Konferencës së Agjensisë Atomike
(17.09.2007 RV)U hap sot në Vjenë Konferenca e 51-të e Përgjithshme e Agjensisë
ndërkombëtare të Energjisë Atomike, e cila ka në qendër programin bërthamor iranian.
Sesioni i punimeve fillon pas deklaratave shqetësuese. Ministri i jashtëm francez,
Bernard Kushner deklaroi se “duhet të përgatitemi për më të keqen”, e madje saktësoi
se “të përgatitesh për më të keqen do të thotë të përgatitesh për luftë”. Në SHBA,
kreu i Pentagonit, Robert Gejts nënvizoi se “të gjitha opcionet janë të mundshme”.
Gjithsesi, personalitete dhe shtete të tjera si Gjermania për shembull, kanë bërë
thirrje që të shmanget me çdo kusht lufta. E vetë drejtori i Agjensisë Atomike, Mohamed
El Baradei kritikoi bashkësinë ndërkombëtare për tonet e ashpra, të cilat mund të
çojnë në shkallëzimin e tensionit me Iranin. Tani për tani, sqaroi ai, Teherani nuk
përfaqëson ndonjë rrezik të qartë dhe të menjëhershëm.