2007-09-17 18:33:22

Dëshmitar i shpresës: Papa kujtoi kardinalin vietnamez Van Tuan. Së shpejti, çështja e lumnimit.


(17.09.2007 RV)Një njeri që jetoi për hir të shpresës, duke e dëshmuar me përvujtëri. Benedikti XVI e kujtoi kështu sot në Kastel Gandolfo kardinalin vietnamez, Ksavier Ngujen Van Tuan, pesë vjet pas vdekjes. Së shpejti fillon Çështja e lumnimit të tij.
Thirrej “dëshmitar i shpresës” e ky ishte gati emri i tij i dytë. Papa iu kthye sot dramës fizike dhe morale që përjetoi kardinali, i mbyllur për 13 vjet në burg, me urdhër të autoriteteve komuniste të Vietnamit. Një dramë e njohur nga shumë klerikë shqiptarë që kaluan gati gjithë jetën e tyre në burgjet dhe në kampet e punës së detyruar në Shqipëri. Një paralelizëm domethënës.
Van Tuan ishte një person, i cili e kishte kthyer shpresën në energjinë e tij shpirtërore, që e bënte të ishte më i fortë se brutaliteti i atyre që u përpoqën ta thyenin, por që mbetën të mrekulluar nga qëndrimi i prelatit e u kthyen në rrugën e Zotit. Shpresa bëri që ky njeri të ishte dëshmitar i dritës edhe në errësirën e qelisë së izolimit ku qëndroi për 9 vjet me radhë. Asnjë shok tjetër përveçse Zotit, Meshës së fshehtë të kremtuar me tre pika verë dhe një pikë ujë në pëllëmbën e dorës dhe një kryq druri lidhur në qafë me një tel elektriku, kryq që e mbante me vete edhe kur u bë kardinal. “Kjo është dëshmia e fesë që na ka lënë ky bari heroik”, pohoi sot Papa në audiencën me anëtarët e Këshillit Papnor për Drejtësinë e Paqen, në krye të të cilit prelati vietnamit u thirr nga Papa Gjon Pali II në vitin 1998:
“Kardinali Van Tuan – tha Benedikti XVI – ishte njeri i shpresës, jetonte me shpresë dhe ua përçonte atë të gjithë atyre që takonte. Falë kësaj energjie shpirtërore u rezistoi të gjitha vështirësive fizike dhe morale. Shpresa e mbajti si Ipeshkëv të izoluar për 13 vjet nga bashkësia dioqezane; shpresa e ndihmoi të shihte në absurditetin e ngjarjeve që i ndodhën – nuk iu bë kurrë procesi gjatë burgimit të tij të gjatë – planin e Provanisë Hyjnore”.
Papa e përfundoi audiencën duke shprehur gëzimin për lajmin e hapjes së Çështjes së lumnimit të karindalit vietnamez, dëshminë e të cilit po jua propozojmë në një regjistrim për Radio Vatikanin:
“Unë kam pasur momente me të vërtetë të vështira, tundimi i hakmarrjes, tundimi i rënies në dëshpërim… por në momentin më kritik, në humnerën e mjerimit e të dobësisë sime njerëzore, në atë moment Zoti ma dha dorën dhe shpresa u kthye, si dielli pas shiut”.







All the contents on this site are copyrighted ©.