2007-09-14 18:33:01

Kalendari Kishtar më 14 shtator, përkujton Naltimin e Kryqit të Shenjtë.


(14.9.2007 RV)RealAudioMP3 Kisha kremtoi sot solemnitetin e Naltimit të Shëna Krygjës, festë që e ka zanafillën në Jeruzalem më 14 shtator të vitit 335. Këtë ditë u shuguruan ndërtesat e ngritura nga Perandori Kostandin për të mbrojtur e për të nderuar viset ku Jezu Krishti përmbushi misterin e vet të Pashkëve, misterin e vdekjes e të ngjalljes. Shumë reflektime janë bërë e vijojnë të bëhen për misterin më të madh të fesë së krishterë. Ndërmjet tyre, po kujtojmë sot reflektimin e Benediktit XVI në Këln drejtuar të rinjve të mbarë botës dhe reflektimin e Gjon Palit II:
“Zoti në këtë botë nuk bën konkurencë me format tokësore të pushtetit. Nuk u kundërvë përçarjeve, përçarje të reja. Jezusit në Kopshtin e Ullinjve Zoti nuk i çon dymbëdhjetë legjone engjëjsh për ta ndihmuar. Pushtetit të potershëm e prepotent të kësaj bote, Krishti i kundërvë pushtetin e çarmatosur të dashurisë, që vdes mbi Kryq e, megjithatë, krijon një gjë të re, hyjnore, e cila pastaj i kundërvihet padrejtësisë dhe ngre mbretërinë e Hyjit”.
E Gjon Pali II në “Letrën drejtuar familjes”, duke u frymëzuar nga Paskali, nënvizon: “Krishti hyri në botë me kryq. Kryqi është simboli i shpërblimit e i shëlbimit, por edhe paradigma e jetës të të krishterit”.
Në ditën e festës së Naltimit të Krygjës ne e shikojmë Kryqin si lavdi e simbol, si rrugë nëpër të cilën duhet ecur ditë për ditë, në përpjekjen për t’iu afruar lumnisë së qiellit, duke pasur gjithnjë parasysh fjalët e Shën Palit drejtuar Galatasve: “Jam kryqëzuar me Krishtin e nuk jam më unë ai që jeton, por Krishti që jeton në mua”.
Prandaj të krishterët krenohen me Kryqin e Zotit tonë Jezu Krishtit, sepse Kryqi është më i fuqishëm e më i madh se të gjitha pushtetet e botës: është shenjë e fitores mbi vdekjen.
Kryqi bëhet kështu lavdi. Zoti lumnohet pikërisht në çastin kur i Biri kryqëzohet. “Në kryq – shkruan Shën Leoni papë – është gjykata e Zotit, aty bëhet gjykimi i botës, zbulohet pushteti i të Kryqëzuarit”. Kryqi është gjykata më e madhe e botës, por edhe fillimi i pushtetit të Krishtit mbi botën dhe mbi historinë e njerëzimit.
Kur të duket se gjithçka ka marrë fund, në të vërtetë gjithçka fillon. Me të drejtë liturgjia e naltimit të Kryqit këndon në Meshë: “Krygjë e lavdishme, në degët tua varej çmimi i lirisë sonë: bota u shëlbua përmes Krygjës. Të falem, o Krygjë, e shuguruar nga Korpi i Krishtit; gjymtyrët e Tij mbi ty shkëlqejnë si gurë të çmuar”.
I madh është misteri që përkujtojmë sot, aftësia për të dhuruar vetveten në Kryq, mister i dashurisë, të cilin është tepër e vështirë ta kuptosh në të gjithë thellësinë e tij! Një gjë është plotësisht e qartë: “Kush merr pjesë në mundimet e Krishtit në Kryq, merr pjesë edhe në gëzimin e Tij”.







All the contents on this site are copyrighted ©.