2007-09-13 18:10:51

Një vit më parë Lectio magistralis së Benediktit XVI në Regensburg: reflektimi i atë Khalil Samir


(13.9.2007 RV) Më 12 shtator, një vit më parë, Papa Benedikti XVI gjatë udhëtimit të tij në Bavari të Gjermanisë, mbante ligjëratën e tij të mirënjohur Lectio magistralis në Universitetin e Regensburgut mbi raportin ndërmjet fesë e arsyes. Papa me atë rast na nxiti të kemi "guximin e hapjes sonë ndaj gjerësisë së arsyes e të mendimit" për të realizuar "një dialog të vërtetë të kulturave e feve – një dialog – pati pohuar Papa – për të cilin kemi nevojë urgjente". Fjalimi i Benediktit të XVI – siç dihet – pati shkaktuar protesta të forta në botën myslimane shkatuar nga një interpretim i gabuar i një fragmenti të fjalimit kushtuar Islamit, në të cilin Papa, duke cituar perandorin bizantin të shekullit të XIV, nënvizonte se përhapja e fesë përmes dhunës është gjë e paarsyeshme dhe e pathemeltë. Protestat u shuan menjëherë pas sqarimeve të ofruara nga vet Ati i Shenjtë. Po mbi fjalimin e Regensburgut të Papës Racinger, të dëgjojmë komentin e jezuitit Atë Samit Khalil Samir, egjiptian, docent i historisë së kulturës arabe dhe i islamologjisë në Universitetin Saint Joseph të Bejrutit.

" Ky fjalim është pranuar me vështirësi nga bota islame, pikërisht sepse askush nuk e kishte lexuar , e njoftimet për të janë marrë nga ajo që shtypi ndërkombëtar kishte shkruar. E shtypi ka krijuar politizimin e fjalimit, sepse në realitet fjalimi i Papës nuk i drejtohej myslimanëve. I drejtohej Perëndimit e donte të thoshte: se Perëndimi vazhdon ta mendoj e ta kuptoj arsyen si shkëputje nga feja, nga etika, nga vlerat, nga spiritualiteti, kështu kultura bëhet një kulturë e zhveshur dhe e boshatisur pikërisht nga thelbësorja. Me këtë vështrim të arsyes, Perëndimi ka krijuar një distancë tejet të madhe me pjesën tjetër të botës, me myslimanët, me afrikanët, me aziatikët. E këte pikërisht sepse në të gjitha kulturat e botës arsyeja është e lidhur me vlera e me spiritualitet. Kritika që bota myslimane i bën Perëndimit është ajo që thotë se "ju jeni një nënkulturë, ju jeni një qytetërim teknikisht më i përparuar, më i përsosur, shkencëtarisht më i zhvilluar, por moralisht më i dobët e më i korruptuar". Kjo, thënë qartë, është ajo që thuhet çdo ditë. E pse? Sepse shohin se shoqëria është shkëputuar prej vlerave. Në fjalimin e tij Papa donte të thoshte se është e domosdoshme të zgjerohet koncepti i arsyes, nëse duam të dialogojmë me tërë botën. Nëse shoqëria perëndimore pretendon të jetë një model për shumë popuj – e në një farë mënyre edhe është – duhet të rigjejë edhe rrënjët e veta shpirtërore, përndryshe do të ketë perplasje të qytetërimeve; nëse Perëndimi nuk e zgjeron konceptin e racionalitetit për të integruar spiritualitetin, etikën dhe vlerat – nga një anë e nëse nga ana tjetër - bota myslimane dhe qytetërimet tjera nuk e integrojnë këtë racionalitet që Perëndimi ka zhvilluar në mënyrë të veçantë ndaj vlerave të tyre e të fesë, rrezikohet një ndeshje edhe më e fortë. E i tërë fjalimi i Papës shqiptuar në Regensburg para një viti, kishte si qëlllim pikërisht promovimin e dialogut ndërmjet kulturave e feve".

Atë Samir, mund të themi, në një farë mënyre, se ky fjalim i Papës, pas një momenti krize, e ka nxjerr në pah e propozuar përsëri dialogun ndërmjet botës së krishterë e botës myslimane?

"Unë mendoj se po. Në dokumentet e mëparshme të Kishës Katolike, insistimi mbi dialogun ka qenë i jashtëzakonshëm. Dikush ka thënë se me Racingerin është bërë një hap mbrapa; une besoj ne të kundërten, duhet të pranojmë se e kemi holluar e përsosur më tej konceptin e dialogut. Në çfarë kuptimi? Sepse në rend të parë ishte e nevojshme të thuhet: "ne jemi shumë afër, prandaj mund të dialogojmë". Këtë hap të parë askush nuk mund ta shlyej, as ta reduktoje. Mirëpo, mungonte përmasa e dytë, ajo që thotë: "po, kemi shumë të përbashkët, por kemi edhe diferenca, dallime që duhen kapërcyer". Pikërisht ky është kontributi i Papës Racinger. Them në mënyrë specifike Racingeri pasi që konferencën e ka mbajtur jo aq me cilesine e Papes sa me ate të profesorit Racinger. Nuk mjafton të themi: "të gjithë jemi vëllezër", megjithëse është qartë se ky element është themelor, por vjen edhe koha në të cilën duhet thënë "jemi vëllezër të ndryshëm". E kjo është idea qendrore: një dialog në të vërtetën e në dashurinë".RealAudioMP3







All the contents on this site are copyrighted ©.