Kalendari kishtar më 12 shtator kremton festën e Emrit të Marisë
(12.9.2007 RV)Në festën e sotme kushtuar
“Emrit të Marisë” avokate e njerëzve pranë Zotit, Papa Racinger, nga elteri i Meshës
së kremtuar në Regensburg të Bavarisë, i uroi të gjitha gratë që quhen Mari, duke
kujtuar në mënyrë të veçantë, nënën dhe motrën e tij, që mbanin këtë emër. Festa
kushtuar Emrit të shenjtë të Marisë bazohet mbi të dhënat biblike, siç dëshmon, u
kremtua për herë të parë, me lejën e Romës, në Kuenka të Spanjës në vitin 1513. E
ndërprerë nga Shën Piu V, nisi të kremtohej përsëri nën papninë e Sikstit V e më pas
u shtri edhe në mbretërinë e Napolit e në Milano. Më 12 shtator 1683, kur Gjon Sobieski
me polakët e vet fitoi mbi hordhitë turke që kishin rrethuar Vienën, duke kërcënuar
krishterimin, i Lumi Inoçenci XI, për t’i shprehur mirënjohjen e thellë Zotit, e shtriu
festën në mbarë Kishën universale dhe e caktoi festimin të dielën para Tetëditshes
së Krishtlindjes. Papa Shën Piu X e shënoi në Kalendar më 12 shtator, kur vijon të
kremtohet edhe sot. Në historinë ezegjezit ka pasur shumë shpjegime për kuptimin
e emrit Mari. Një prej tyre e shpjegon me fjalën ‘hidhërim’. Këtë shpjegim e japin
disa Rabinë, të cilët e nxjerrin emrin Miryam nga rrënja MRR, që në hebraishte do
të thotë “të jesh i hidhur”. Sipas tyre shpjegohet kështu nga Maria, motra e Moisiut,
që u quajt me këtë emër, sepse kur lindi, Faraoni nisi ta bëjë gjithnjë më të hidhur
jetën e hebrenjve. Edhe ne, të krishterët, mund ta pranojmë këtë shpjegim, duke
pasur parasysh hidhërimin e thellë që përballoi Virgjëra Mari në rrugën e Kryqit për
shëlbimin tonë. Shpjegime të tjera janë: “Mësuese e Zonjë e detit”, nga hebraishtja
Moreh (Zonjë) dhe Yam (det), gjithnjë lidhur me Marinë, motrën e Moisiut, që ishte
mësuese e grave hebreje kur kalonin Detin e Kuq. Virgjëra Mari është Mësuese e
Zonjë e detit të këtij shekulli, të cilin na bën ta kapërcejmë duke na shoqëruar drejt
qiellit. “Ndriçuese, Yll i detit”, nga parashtesa hebraike emërore M + Or (dritë)
+ Yam (det). “Shi stinor” – nga hebraishtja Moreh – shiu i parë i stinës. Maria
konsiderohet si ajo që resh nga qielli një shi hiresh. “Lartësi” nga hebraishtja
Marom – Lartësi qiellore. Tek Shën Luka gjejmë shprehjen “Na ka vizituar një diell
që lind “nga lart” e kjo fjalë “Nga lart” është shpjeguar “nga Maria”. Cila është
më e drejta nga të gjitha këto hamendje? Ndoshta Provania hyjnore na la në dyshim,
që në emrin e Marisë të gjejmë njëkohësisht të gjitha kuptimet që na shtjellon analogjia
e fesë