2007-09-11 19:48:05

MBREMJE ME MUZIKE DHOME: "FJALË TË NËNË TEREZËS DHE TINGUJ PËR TË", i pranishëm Presidenti i Shqiperise, z. Bamir Topi


(11.09.2007 RV nga ATSH-ja)- Një mbrëmje me muzikë dhome, titulluar "Fjalë të Nënë Terezës dhe tinguj për të", organizua dje në mbrëmje në hollin e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit në Tiranë, në kuadër të aktiviteteve që po zhvillohen në kryeqytetin shqiptar në 10 vjetorin e ndarjes nga jeta të Nënë Terezës, bamirëses shqiptare më famë botërore.
Në këtë mbrëmje artistike kushtuar të Lumes Nënë Terezë ishte i pranishëm edhe President i Republikës, z. Bamir Topi, i shoqëruar nga Zonja e tij si dhe personalitete të artit dhe të kulturës shqiptare.
Mbrëmja e veçantë kishte si protagonistë solistët lirikë më të njohur të Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit, Korin kameral , si të ftuar nderi aktorin Mirush Kabashi (Mjeshtër i Madh) dhe si drejtor muzikor Edith Mihali (Mjeshtre e Madhe).
Muzika e kompozitorëve të njohur botërorë si , Schubert, Verdi, Hendel, Puccini, apo dhe kompozitorëve të njohur shqiptarë si Zadeja u sollën përmes një interpretimi të arrirë nga artistët e këtij teatri si, M.Leka, A Kllogjeri, V. Kamenica, Y Gjini , Eriona Gjyzeli. Por nuk kanë munguar në këtë mbrëmje edhe këngë pikante popullore si "O ju male", interpretuar nga Y. Gjini, kënga "Për mu paska ken kismet" nga Rudina Delia, kënga e njohur "Ti më je si gonxhe", një këngë e interpretuar nga të gjithë të pranishmit, sikundër dhe interpretimi i arrirë i Mirush Kabashit, i cili recitoi një mozaik mendimesh hyjnore të Nënë Terezës , apo edhe çka shkruar bamirësja e njohur për Shqipërinë.
Koncertmaestër të këtij koncerti ishin L.Kotorri, D. Kuraja, H.Mikeli, Th . Paskali.







All the contents on this site are copyrighted ©.